Përfaqësuesit e komunave serbe në Kosovë, gjatë takimit në Mitrovicën e veriut kanë miratuar propozimin për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, nëse Prishtina nuk e bën një gjë të tillë.
Gjithashtu gjatë takimit, ndër tjerash janë miratuar edhe propozimet/kërkesat që ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe drejtori i Policisë së Kosovës të japin dorëheqje dhe “ata që kanë ushtruar dhunë” të dënohen.
Këto katër “kërkesa” kanë dalë gjatë një takimi të mbajtur në veri të Mitrovicës ku është diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, përkatësisht arrestimit të Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës.
Gjithashtu në takim është diskutuar edhe rreth takimit të përfaqësuesve të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ndërkohë, në fillim të takimit, përkatësisht në foltoren ku po mbaheshin fjalimet është shfaqur edhe një simbol, stema e re të Asociacionit.