Përfaqësuesja e Kosovës mbajti, sot pasdite, seancën e parë stërvitore e ku për qëllim ishte simulimi i një ndeshje me Turqinë me komponentat që ka rivali, duke u përballur me stilin, mënyrën dhe taktikën e ekipit turk.
Po ashtu u ushtrua edhe loja në mbrojtje dhe loja nga ndërprerja dhe në fund edhe stërvitja e gjuajtjeve të lira dhe nga 11-metërshi.
Në radhët e ekipit përfaqësues po mbretëron një harmoni, zell e përkushtim për punë që jep shpresa për një rezultat premtues.
Sipas ekipit mjekësor të përfaqësueses gjendja shëndetësore e futbollistëve është e mirë. Në këtë stërvitje pati një interesim të jashtëzakonshëm të medieve turke që ishin të pranishme gjatë seancës stërvitore dhe morën shumë deklarata e opinione nga ekipi përfaqësueses.
Stërvitja e radhës është nesër prej orës 16.00, ndërsa paradite do të jetë sërish analizë e lojërave. Pas përfundimit të stërvitjes disa nga futbollistët deklaruan:
Alban Meha: Do të jetë një ndeshje e fortë ngjashëm me Kroacinë dhe Ukrainën. Turqia është një ekip i mirë dhe i fortë. Duhet të përpiqemi që ta mbajmë rezultatin baras. Shpresoj ta ruajmë qetësinë dhe të japim edhe gol.
Herolind Shala: Pres një ndeshje të vështirë. Duhet ta përmirësojmë performancën nga dy ndeshjet e kaluara, të përmirësojmë gabimet nga ndeshjet e kaluara. Të shënojmë dhe ta bëjmë një lojë të shkëlqyeshme.
Mërgim Vojvoda: Së pari për mua është një nder dhe jam shumë i lumtur që do të përfaqësojë shtetin tim Kosovën. Besoj se do të luaj dhe pres që së paku të kthehemi me një pikë.
Vedat Muriqi: Pres një ndeshje interesante. Do të jetë një ndeshje vëllazërore duke marrë për bazë marrëdhëniet e mira që ka Kosova e Turqia. Do të ketë shumë tifozë dhe do të bëhet një atmosferë e mirë e shpresoj në lojë të mirë por pavarësisht rezultatit do të fitojë vëllazëria.