Nën udhëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, respektivisht Koordinatorit Nacional kundër Narkotikëve, Nehat Mustafa u organizua punëtoria mbi vlerësimin e implementimit të Strategjisë kundër Narkotikëve për periudhën Dhjetor 2015 – Dhjetor 2016.
Që në fillim, Koordinatori Nacional z. Mustafa vlerësoi lart angazhimin e të gjitha institucioneve në përmbushjen e aktiviteteve që dalin nga Strategjia Kombëtare kundër Narkotikeve dhe Plani i Veprimit ( 2012 – 2017).
“Gjatë këtij viti është vërejtur një qasje shumë më serioze e të gjitha institucioneve dhe OJQ-ve, të cilat merren me këtë problematike, por natyrisht që ka edhe shumë punë për tu bërë “ tha zëvendësministri Mustafa .
Sipas zëvendësministrit, Mustafa qe një kohë të gjatë, pothuajse vetëm Policia e Kosovës është marrë intensivisht me dukurinë e narkotikëve, duke përfshirë këtu edhe fushatat e vetëdijesimit.
“Tani është momenti që Policia e Kosovës të jetë krejtësisht e fokusuar në luftimin ( zvogëlimin e ofertës), kurse institucionet tjera, mjekët, sociologët, psikologët, farmacistët, shoqëria civile, personalitetet e shquara të artit e të sportit dhe mediat të jenë me shumë të angazhuara në fushatat e vetëdijesimit ( zvogëlimin e kërkesës). Përdoruesit e narkotikëve janë viktima për të cilat shoqëria jonë duhet të ofroj tretman institucional, prandaj është e papranueshme mbyllja e Qendrës për trajtimin me metadon në Gjilan, në kohën kur synohet zgjerimi i qendrave të cilat ofrojnë këtë tretman” tha z. Mustafa.
Mustafa theksoj se Ministria e Shëndetësisë ka qenë e njoftuar që nga fillimi për këtë ngjarje dhe deri më tani nuk ka asnjë veprim për të bërë zgjidhjen e duhur.
“I bëjmë ftesë edhe njëherë Ministrit të Shëndetësisë që të merret më seriozisht me rastin e Gjilanit, aq më tepër që zyrtari i cili e ka mbyllur këtë qendër është njeri nga bashkëpunëtorët e afërt të ministrit”, përfundoi zëvendësministri Mustafa.
Ngritja e kapaciteteve të disa institucioneve, shkëmbimi i informacioneve në lidhje me abuzimin me droga, nënshkrimi i marrëveshjeve bilaterale me shtetet tjera në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë në çështjet penale, fuqizimi i mekanizmave mbështetës të parapara sipas objektivit strategjik, ngritja e kapaciteteve tek institucionet përgjegjëse për raportim (Trajnim shtesë) dhe unifikimi i mënyrës së raportimit tek sekretariati, nxitja dhe përkrahja e projekteve hulumtuese lidhur me dukurinë e drogave, krijimi i data -bazës për grumbullimin e të dhënave për përdoruesit e drogave, rihapja e Qendrës në Gjilan për TMM dhe hapja e qendrave tjera për TMM, si dhe ri-funksionalizimi i skanerit për dërgesat komercial në pikë kalimet kufitare, mbesin disa prej sfidave kryesore të identifikuara gjatë vlerësimit dy ditor të kësaj strategjie.