Pas më shumë se tri orë, ka përfunduar intervistimi i Koordinatores së Komiteteve të Vetëvendosjes, Dejona Mihali nga Prokuroria Speciale, raporton Ekonomia Online.
Mihali ka thënë se ka ardhur “për t’i ndihmuar Prokurorisë Speciale”.
“Nga prokurori u intervistova për ta zbardhur të vërtetën”, tha ajo derisa nuk pranoi që t’iu përgjigjet gazetarëve se për cilën të vërtetë.
Prokuroria Speciale gjatë ditës ka bërë të ditur se Dejona Mihali është intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo Prokurori i ka në hetim.
“Pas interesimit për të marr informacion nga një numër i madh i gazetarëve, Prokuroria Speciale informon se sot, Dejona Mihali, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo prokurori i ka në hetim”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.
“Nacionale” raportoi se Mihali do të intervistohej në cilësinë dëshmitares për dy raste të veprave të korrupsionit të nivelit të lartë; përkatësisht për rastin e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi dhe kryeshefin e ndërmarrjes Ibër Lepenc, Faruk Mujka.
Gazeta ka mësuar se Mihali ka dijeni për tenderët që Nagip Krasniqi ka dhënë në KEK, e të cilët është duke i hetuar prokuroria.
Të dy personat në fjalë vitin e kaluar janë arrestuar dhe kanë qëndruar në paraburgim si të dyshuar për korrupsion.
Të dy rastet janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.