Ka përfunduar së ndërtuari rruga Kryth-Ulqin 13.5 kilometër e gjatë që lidh Ulqinin me Shqipërinë, pikërisht me pikëkalimin e përbashkët Muriqan-Sukobinë. Ndërkohë që pjesa e tjetër e rrugës nga fshati Kryth deri në Sukobinë ka përfunduar më herët. Kështu që rruga nga Ulqini deri në pikë-kalimin kufitar Muriqan-Sukobinë rreth 25 kilometër e gjatë tashmë është krejtësisht funksionale.
Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, vizitoi rrugën më të re nga Ulqini në pikën kufitare me Shqipërinë, Sukobinë – Muriqan. Markoviqi, në urën e re të Klleznës, u prit nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, ministri për të Drejtat e Pakicave në Mal të Zi, Mehmet Zenka, përfaqësues të partive politike e banorë të zonës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kryeministri malazez vlerësoi punimet e kryera në këtë segment rrugor që ka kushtuar 12 milionë euro, i cili, sipas tij, ka një rëndësi të madhe për popullatën e kësaj zone, por edhe për Komunën e Ulqinit, pasi krijon një lidhje më të mirë me Shqipërinë, gjë që përmirëson jetën e qytetarëve që jetojnë atje dhe qasjen e turistëve për në Malin e Zi.
Me këtë rast Markoviq tha se kjo rrugë është e ndërtuar sipas të gjitha normave përtej standardeve të zakonshme për rrugët lokale. Sipas tij, ajo ka të gjitha karakteristikat e një rruge rajonale, duke falënderuar e përgëzuar gjithashtu Drejtorinë e Transportit dhe kontraktuesin për punën e tyre të suksesshme. Qeveria e Malit të Zi kishte deklaruar para pesë vjetësh se qarkullimi i mallrave në pikën kufitare Sukubinë-Muriqan do të jetë i mundur kur të kryhet rikonstruktimi i plotë i rrugës prej Ulqinit deri në Sukobinë.