Ka përfunduar seanca e së martës në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte.
Në këtë seancë, Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave, paraqitën deklaratat e tyre hyrëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, të mërkurën, pritet të vazhdohet me deklaratën hyrëse të mbrojtjes dhe deklaratën pa betim të Pjetër Shalës.
Mbrojtësja e viktimave thotë se viktimat janë dëmtuar në mënyrë të jashtëzakonshme
(Përditësuar, ora 13:54)- Mbrojtësja e viktimave, Maria Radziejowska, në deklaratën e saj hyrëse, ka thënë se viktimat e krimeve për të cilat akuzohet Pjetër Shala, janë dëmtuar në mënyrë të jashtëzakonshme, ku njëri prej tyre nuk i ka mbijetuar makthit që iu desh të kalonte.
“Edhe pse kanë ndodhur para më shumë se 20 viteve, dëmtimet dhe vuajtjet që janë shkaktuar vazhdojnë të ndikojnë në jetën e përditshme të personave që i kanë përjetuar ato”, tha ajo.
Radziejowska tha se disa prej viktimave dëshironin të kyçeshin në UÇK dhe asnjë prej viktimave nuk ka akuza zyrtare apo ndonjë dënim për krime të kryera dhe pavarësisht kësaj janë ndaluar dhe trajtuar në mënyrat më çnjerëzore dhe mizore të mundshme.
Sipas saj, disa nga viktimat janë mbajtur për më shumë se një muaj në fabrikën në Kukës, ku janë rrahur në mënyrë të vazhdueshme.
Tutje, tha se viktimat nuk morën kujdes mjekësor dhe se janë abuzuar edhe në mënyrë psikologjike, ku shpesh kanë shikuar apo kanë dëgjuar se të tjerët keqtrajtoheshin, u kërcënuan me vdekje apo lëndime të rënda trupore.
Po ashtu, tha se disa u urdhëruan të rrihnin viktimat tjera dhe u rrahën keq kur nuk pranuan të bënin këtë.
Sipas saj, njëri prej viktimave përshkroi se ai kishte dhimbje në shtyllën kurrizore, eshtra, vuante nga stresi, humbte toruan shpejt, e tha gjithashtu se i kujtonte herë pas here keqtrajtimet që kishte vuajtur dhe nuk flinte mirë, ku frika i është ngulitur në kokë.
“I vjen keq portretizimi i personave që e keqtrajtuan dhe quajtën tradhtar…. Ai thotë jam në mes nuk jam në tokë e as në qiell”, tha ajo.
Mbrojtësja e viktimave po ashtu tha se edhe vetë anëtarët e familjarëve që janë keqtrajtuar në Kukës, edhe sot e kësaj dite, qajnë kur pyeten për ngjarjet që kanë ndodhur në atë kohë, ku flasin për traumë e stres që kanë ndjerë me arrestimin e familjarëve e kthimin e tyre.
“Flasin për humbje që nuk mund të fitohet”, tha ajo, po ashtu, tha se flasin për stigma që u janë bërë atyre.
Tutje, theksoi se kur takohesh me viktimat e ndjen se edhe sot e kësaj dite janë të prekur familjarët për atë që u ka ndodhur personave të tyre të dashur dhe kjo ilustrohet me lot dhe insistimin e tyre për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe cilat janë arsyet për atë që ka ndodhur.
“Do të dëgjojmë dëshmitarë për ndikimin e krimeve, çfarë ndikimi kanë pasur këto krime në jetën e tyre, pa këto dëshmi është e pamundur të nxjerret një panoramë e plotë se çka ka ndodhur në fabrikën e Kukës dhe sa të rënda ishin krimet që kanë ndodhur atje”, tha ajo.