Përfundon seanca, një muaj paraburgim për serbin e arrestuar për krime lufte

Prishtinë | 17 Dhj 2022 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar seanca ndaj, Sllogjan Trajkoviq, ish-zyrtari policor serb i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për krime të luftës në Kosovë.

Ndaj të njëjtit Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ka shkruar gazetari Venhar Isufi.

Familjarët dhe avokati i tij, nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se Sllogjan Trajkoviq së bashku edhe me persona të tjerë të uniformuar ka marrë pjesë në ofensivën ushtarake të datës 06.04.1999, në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në ofensivën e datës 02.05.1999, në qytetin e Vushtrrisë.

“Në këtë rast i pandehuri në bashkëveprim edhe me persona të tjerë ka qenë i përfshirë në keqtrajtimin, maltretimin, plaçkitjen si dhe vrasjen e personave civil dhe shpërnguljen më dhunë nga shtëpitë e tyre gjatë kohës se luftës”, njoftoi Prokuroria.

Të ngjashme