Përgjimi i ri zbulon komunikimin mes Bojan Dimiqit dhe Fatmir Shehollit

Prishtinë | 26 Gus 2026 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

Bojan Dimiq kërkonte të dhëna për kompanitë kosovare që përfituan nga ndalimi i importeve nga Serbia, ndërsa Fatmir Sheholli premtonte të interesohej në Odën Ekonomike të Kosovës për informacionet e kërkuara. Materiali zbulon se si AKI-ja dhe Prokuroria Speciale parandaluan një tjetër përpjekje për mbledhjen e informacioneve sensitive ekonomike në Kosovë. Përgjimi, që nuk është përfshirë në aktakuzën e PSRK, hap një pistë të re mbi interesimin e pretenduar të strukturave serbe të sigurisë për tregun dhe bizneset në Kosovë.

Një përgjim i ri, i cili nuk është përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, hedh dritë mbi një tjetër dimension të dyshimeve për veprimtarinë e Fatmir Shehollit dhe lidhjet e tij të pretenduara me strukturat e sigurisë së Serbisë.

Në materialin e siguruar nga Gazeta Insajderi, personi që kërkon informacion identifikohet si Bojan Dimiq, zyrtar i lartë i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë – BIA. Ndërsa personi që i përgjigjet dhe thotë se do të konsultohet me Odën Ekonomike të Kosovës është Fatmir Sheholli.

Përmbajtja e komunikimit lidhet me importin e mallrave nga pjesa qendrore e Serbisë drejt Kosovës, kompanitë që mund të kenë përfituar nga ndalimi i këtyre importeve dhe interesat ekonomike që mund të preken nga rikthimi i tyre.

Materiali zbulon se si Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokuroria Speciale parandaluan një tjetër përpjekje për mbledhjen e informacioneve sensitive ekonomike në Kosovë.

Çfarë thuhet në përgjim?

Në bisedë, Dimiqi e pyet Shehollin se cilat kompani kosovare, pas ndalimit të importeve nga Serbia qendrore, e kanë zëvendësuar këtë furnizim me mallra nga Bashkimi Evropian dhe shtetet e tjera.

Ai kërkon informacion të detajuar për kompanitë që, sipas tij, kanë krijuar një pozitë dominuese ose monopoliste në importin e mallrave në Kosovë dhe që mund të mos e mirëpresin rikthimin e importeve nga Serbia qendrore.

“Nakon zabrane uvoza robe iz centralnog dela Srbije, koje kosovske firme su razvile posao uvoza robe, pre svega prehrambenih proizvoda, iz EU i drugih zemalja? Koje firme su sada u monopolističkom položaju uvoznika robe na KiM, kojima ne odgovara ponovno uspostavljanje uvoza robe iz centralnog dela Srbije?”

Në shqip, pyetja dhe detyrat që Dimiq ia jep Shehollit janë si në vijim:

“Pas ndalimit të importeve të mallrave nga pjesa qendrore e Serbisë, cilat kompani kosovare e kanë zhvilluar biznesin e importit të mallrave, para së gjithash të produkteve ushqimore, nga Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera? Cilat kompani tani janë në pozitë monopoliste si importuese të mallrave në Kosovë dhe cilave nuk u përgjigjet rikthimi i importeve nga pjesa qendrore e Serbisë?”

Dimiqi më pas kërkon saktësi në përgjigje, duke theksuar se informacioni është shumë i rëndësishëm për të. Sheholli i përgjigjet se duhet të interesohet në Odën Ekonomike të Kosovës, pasi, siç thotë në komunikim, ai nuk e di menjëherë përgjigjen.

Ky komunikim, ndonëse nuk është pjesë e aktakuzës, ngre dyshime për interesimin e një zyrtari të BIA-s serbe mbi strukturën e importit në Kosovë, kompanitë që kontrollojnë tregun dhe pasojat ekonomike të politikave tregtare të institucioneve të Kosovës.

Lidhja e përgjimit me hetimet për Shehollin

Përmbajtja e këtij përgjimi merr rëndësi në kontekstin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale “spiunazh” dhe “shantazh”. Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ka vepruar në koordinim me Bojan Dimiqin, të cilin Prokuroria e përshkruan si zyrtar të lartë të BIA-s serbe.

Në aktakuzë pretendohet se Sheholli ishte angazhuar për zbatimin e një plani operativ të përgatitur nga Dimiqi. Sipas Prokurorisë, ky plan kishte për qëllim dëmtimin e interesave të Kosovës, ndikimin në proceset politike dhe zgjedhore, si dhe komprometimin e zyrtarëve institucionalë përmes publikimit të materialeve audio dhe dokumenteve të ndryshme.

Një pjesë e pretendimeve lidhet me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se kishte pranuar materiale komprometuese dhe më pas ia kishte dorëzuar ato gazetarit Milaim Zeka, bashkë me një shumë parash, me udhëzime për mënyrën dhe kohën e publikimit.

Të ngjashme