Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci kanë marrë pjesë në tubimin përkujtimor me rastin e 20-vjetorit të “Epopesë së Grykës së Llapushnikut”.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj kujtoi të rënët e Grykës së Llapushnikut dhe tha se të gjallët duhet ta ruajnë kujtimin për dëshmorët dhe ta plotësojnë amanetin për të cilën edhe kanë rënë.
“Beteja e Grykës së Llapushnikut kishte karakter strategjik në shumë drejtime, e para në betejë të Llapushnikut u ndal arteria ose autostrada kryesore serbe dhe nxori nga izolimi që kishte rrethuar dhe planifikuar Ushtria serbe Drenicën dhe një pjesë e madhe e këtyre fshatrave Skenderaj, Klinë, Malishevë, Drenas që ishin të izoluara nga ajo që kishte ndodhur në epopenë e lavdishme të komandantit legjendar”, tha Limaj.
Limaj tha se sa ka qenë e rëndësishme kjo betejë, tregojnë më së miri luftëtarët e rënë në këtë grykë.
“Sot nderojmë dhe kujtojmë qindra bashkëluftëtarë të gjallë, invalidë, veteranë që nuk kursyen asgjë vetëm të mbrojnë Grykën e Llapushnikut, gra, burra, pleq e fëmijë që nga dita e parë e 9 marsit 1998, këto fshatra nuk kanë pasur dallim se kush është me uniformë kush është pa të”, shtoi Limaj.
Po ashtu Limaj nuk e harroi edhe luftëtarin e UÇK-së Hajredin Bala për kontributin e tij të dhënë në këtë zonë.
Për të, Limaj tha se kishte qenë që nga dita e parë në luftë në zonën e Llapushnikut.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se falënderoi zëvënëskryeministrin Limaj që gjeti kohë t’iu bashkohej në këtë manifestim dhe kujtim të betejës më të rëndësishme në zonën e Drenicës.
“Po festojmë dhe kujtojmë 20-vjetorin të një beteje të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asaj policore ushtarake serbe e cila ka qenë një betejë që e mobilizoi jo vetëm Llapushnikun, por edhe fshatrat e Drenicës dhe bashkëluftëtarët nga rrethet tjera e deri në Maqedoni”, tha Lladrovci.
“Llapushniku, kujtesa nuk është vetëm e Llapushnikut, por e gjithë atyre luftëtarëve që morën pjesë në këtë betejë dhe beteja të lavdishme”, tha Lladrovci.
Ndërsa, përfaqësuesi i famijeve të dëshmorëve, Mehdi Thaçi, iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që amanetin e dëshmorëve të rënë ta çojnë në vend.
Në fund të tubimit përkujtimor u prezantuan disa këngë dhe valle në kujtim të dëshmorëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj forcave serbe.
Ky tubim është organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.