Përleshja mes asamblistëve të VV-së në Podujevë, Prokuroria nis hetimet

Prishtinë | 31 Tet 2022 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Sot ka ndodhur një përleshje mes dy asamblistëve të VV-së në afërsi të objektit të komunës së Podujevës, Ragip Fetahut dhe Artrit Mulliqit. Këtë rast e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës, ndërsa nga Prokuroria në Prishtinë thanë se kanë nisur hetimet për “Lëndim të lehtë trupor”.

Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Pas informimit të prokurorit kujdestar nga policia, me urdhër të njëjtit iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ta ndriçuar në plotni këtë çështje penale”, tha Ulaj.

Për këtë çështje nga Policia thanë se në stacion janë dërguar dy persona.

“Rreth orës 11:00 jemi informuar se ka nje mosmarrveshje ne afërsi të objektit të komunës së Podujevës. Njësia policore ka dalë në vendngjarje ku per intervistim ka shoqeruar ne stacion policor dy persona të përfshirë në këtë ngjarje e cila është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit”, tha zëdhënësja e PK-së, Flora Ahmeti.

Për këtë rast, ka dalë me njoftim Ragip Fetahu, i cili tha se është sulmuar fizikisht nga Artrit Mulliqi.

Kjo sipas tij, ndodhi pas pauzës së shkurt të Kuvendit. “Dola për të marrë një kafe dhe ujë në një Kafene pranë Kuvendit”.

Ai ka rrëfyer në detaje se si nisi ngjarja që përfundoi edhe me goditje e sharje.

Të ngjashme