Policia e Shtetit ka vënë në pranga 6 qytetarë nga Kavaja, një ditë pas përleshjes mes militantëve të opozitës dhe policisë në afërsi të KZAZ-së nr42 në qytet.
Policia ka njoftuar se të arrestuarit janë në të shumtën e rastit punonjës të institucioneve bashkiake, përshi këtu dhe një person të dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Përveçse 6 arrestimeve, policia ka vënë nën hetim dhe 25 qytetarë të tjerë që morën pjesë në protestën kundër procesit zgjedhor.
Njoftimi i plotë i policisë:
31 të proceduar, ndër ta 6 të arrestuar, për sulmin ndaj KZAZ nr. 42 dhe ndaj punonjësve të Policisë, me shërbim në këtë objekt.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.06.2019, para KZAZ nr. 42 në Kavajë, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë Rendit Publik”, ’’Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor mbetur në tentativë”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe ‘’Shkatërrimi i pronës”, shtetasit:
A. Xh., banues në Kavajë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”.
E. B., banues në Kavajë, punonjës i Bashkisë Kavajë (shofer).
D. E., banues në Kavajë.
L. D., banues në Golem, Kavajë.
F. R., banues në Kavajë, punonjës i Ujësjellës – Kanalizime
D. B., banues në Kavajë, punonjës i Ujësjellës – Kanalizime, Kavajë
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë sepse:
Ne datën 19.06.2019 rreth orës 20:05, në lagjen nr. 3 në Kavajë, kanë marrë pjesë në një grumbullim të paligjshëm, me qëllim lirimin e ambienteve të shkollës “Tre dëshmorët”, ku ndodhet KZAZ nr. 42.
Këta shtetas kanë tentuar te futen forcërisht në ambientet e shkollës ku ndodhet duke qëlluar me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba “molotov”, punonjësit e Policisë me shërbim, në ruajtje të KZAZ-së.
Nga veprimet e dhunshme të këtyre personave është dëmtuar rrethimi i jashtëm i territorit të shkollës, në anën jugore, janë dëmtuar edhe dy portat metalike të shkollës, si dhe ka pësuar lëndime nga goditja me sende të forta, edhe një punonjës Policie.
Nga veprimet hetimore të kryera, këqyrja dhe analiza e pamjeve filmike, raportet e shërbimit, janë administruar të dhëna, fakte dhe prova, që vërtetojnë se shtetasit e mësipërm kanë konsumuar veprën penale: “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, ’’Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor mbetur në tentative”, “Organizimi dhe Pjesëmarrja në grumbullim të paligjshëm” dhe ‘’Shkatërrimi i pronës”.
Gjithashtu në lidhje me këtë ngjarje, u shpallën në kërkim policor 25 shtetas, 12 prej të cilëve punonjës të Bashkisë Kavajë.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj .
Materialet hetimore do t’i dërgohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.