Organizata Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë – PEN ka mbajtur sot konferencën përmbyllëse të projektit dyvjeçar “Veprojmë për Barazi”, me temën “Gratë në Vendimmarrje Lokale”.
Ky projekt është implementuar nga PEN dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës – QKRMT, më mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit. Gjatë konferencës u prezantuan arritjet e projektit, u ndanë çmime dhe mirënjohje për personat që kanë kontribuar në realizimin e objektivave të projektit dhe u mbajt panel diskutimi mbi këtë temë.
Projekti ka synuar përfshirjen e grave në udhëheqje dhe vendimmarrje lokale në gjashtë komuna të Kosovës: Mitrovicë, Podujevë, Vushtrri, Viti, Drenas dhe Skënderaj. Projekti është fokusuar në këto shtylla: rritjen e kapaciteteve të grave të reja në udhëheqje dhe qeverisjen lokale, përfaqësimin e barabartë në strukturat lokale të vendimmarrjes dhe promovimin e aktiviteteve edukative për vajzat dhe djemtë mbi barazinë gjinore dhe trajtimin e dhunës seksuale dhe gjinore.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ishte prezent për të pranuar mirënjohjen për kontributin e dhënë nga Komuna e Drenasit gjatë implementimit të projektit. Lladrovci theksoi që në Komunën e Drenasit është punuar aktivisht për përfshirjen sa më të madhe të grave.
Besarta Mehës dhe Latif Mehmetit iu ndanë çmimet Grua Lidere dhe Burrë Lider për suksesin e arritur në angazhimin e barabartë të grave dhe burrave në komunitet. Znj. Meha ka shërbyer si shembull i fuqizimit të grave. Propozimi i saj që të adoptohet një kuotë për pjesëmarrjen e grave prej 30% në Këshillat e Fshatrave të Skënderajt është aprovuar në mbledhjen e Asamblesë Komunale më 31 mars 2016.
Konsulentja e projektit, Vjollca Pllana-Shahini, tha se diskriminimi gjinor dhe dhuna në bazë gjinore janë tejet të shprehura në këto komunitete, dhe projekti ka luajtur një rol me rëndësi në vetëdijësimin e qytetarëve. Gratë e reja janë aftësuar për udhëheqësi dhe janë ndjerë të fuqizuara.
Kryetarët në Këshillat e Fshatrave fillimisht kanë parë pengesa të mëdha në angazhimin e grave, jo vetëm në rolin e kryetares së fshatit, por edhe në angazhimin e grave si anëtare në Këshill/Përfaqësuese të lagjes. Ajo vlerësoi se në Këshillat e Fshatrave ka ndryshuar çasja e mospërfshirjes së grave dhe është mundësuar që të ofrohet hapësirë e përshtatshme dhe përkrahje për pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje lokale.