Autoritetet e Ruandës kanë evakuuar pothuajse 6.000 persona që jetojnë në zonat me rrezik të lartë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas “The New Times”, zhvendosja ishte një çështje urgjente për shkak të shirave të dendur që kanë përfshirë vendin në javët e fundit.
Më tej thuhet se disa të evakuuar janë vendosur përkohësisht në ambiente publike si shkolla, të tjerëve u jepej pagesa ekuivalente me qiranë e një muaji, ndërsa disa vendosën të kërkojnë strehim tek miqtë dhe familjet.
”Nga shtatori deri më 8 dhjetor të vitit 2019, të paktën 2.803 shtëpi janë shkatërruar nga katastrofat që lidhen me shiun. Nga këto, 512 janë në zonat me rrezik të lartë. Nga janari deri në dhjetor të vitit 2019, nga katastrofat humbën jetën 110 persona, 232 u lënduan, 4.891 shtëpi u dëmtuan ndërsa 9.843 hektarë të korra u dëmtuan dhe 109 kafshë kanë humbur”, njoftoi në twitter Kryqi i Kuq i Ruandës.
“Mbi 2.8 milionë njerëz tani janë prekur ndërsa më shumë se 280 raportohet se kanë vdekur si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve në Afrikën Lindore. Në të gjithë rajonin, shtëpitë, infrastruktura dhe mjetet e jetesës janë shkatërruar dhe dëmtuar në zonat më të goditura ndërsa rreziku i sëmundjeve ngjitëse, përfshirë kolerën, po rritet”, bëri të ditur Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.