Ministria e Punëve të Jashtme ka treguar joseriozitet në raport me shtetin e Zvicrës, duke i dërguar brenda një jave dy kërkesa – fillimisht për emërim më pas anulim të një note verbale.
Në gusht të këtij viti, dikasteri që drejtohet nga Behgjet Pacolli ka stopuar procedurën e emërimit të Arsen Shoshit, si konsull nderi në Zvicër. Gazeta Koha Ditore ka siguruar komunikimin mes zyrtarëve të MPJ-së, ambasadores së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca, si dhe pretendentit për konsull, Arsen Shoshi – një mirëmbajtës ndërtesash në shtetin zviceran.
Me datën 3 maj të këtij viti, ambasadorja Breca ka pranuar nga Shoshi notën verbale të nënshkruar nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Muhamet Brajshori, për dërgim në EDA (Departamenti për Punë të Jashtme i Zvicrës v.j.) për emërim si konsull nderi. Tri ditë më vonë, siç shkruan në letërkëmbimin e Brecës, ajo e ka përcjellë gjithë këtë dokumentacion në EDA. Por pa u mbushur një javë asaj i kërkohet që të anulohet nota verbale.
“Me datën 14.05.2018, nga z. Muhamet Brajshori kam marrë një telefonatë me kërkesë gojore që të anulohet nota verbale, e dërguar më herët, për emërimin e z. Arsen Shoshi si konsull nderi në Zvicër. Të njëjtën kërkesë e kam pranuar me një mesazh nga ju z. Albert Prenkaj, ku shkruan se ‘Zv KM po thotë që të tërhiqet emërimi i konsullit të nderit menjëherë’”, shkruan në letrën që Breca i ka dërguar drejtorit të përgjithshëm në MPJ, Albert Prenkaj.