Përmes tri performancave paralele artistike është shënuar Dita vendore e përkujtimit të viktimave në komunikacionin rrugor.
Këto performanca u organizuan nga Qendra për Zhvillim Multikulturor-Impakt. Dita vendore e përkujtimit të viktimave në komunikacionin rrugor u shënua nën moton “T’i kujtojmë ata që shkuan, për t’i ruajtur këta që janë”, raporton Ekonomia Online.
Një nga tri performancat ishte ajo në rrugën Luan Haradinaj, përballë New Bornit. Personazh i kësaj performance ishte një futbollist, i cili në dorë mbante një top. Ai filloi të ecte ngadalë mbi vijat e bardha. Pasi bëri disa driblime me tob, ai u bë kinse u godit nga një veturë. Për ta ndihmuar performuesin, në ndihmë i dalin një ekip mjekësor nga autoambulanca.
Kjo autoambulancë së bashku edhe me dy ambulancat e tjera nga dy performancat e tjera më pastaj kanë përshkuar në Sheshin “Nëna Terezë”.
Aktori Naim Berisha, organizator dhe ideator i kësaj ngjarjeje, në një prononcim për medie ka thënë se shënimi i kësaj dite ka për qëllim që nëpëmjet përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, ta rrisim shkallën e ndërgjegjësimit qytetar rreth sigurisë në rrugë, në mënyrë që të kemi numër më të vogël aksidentesh, respektivisht numër më të vogël të vdekjeve në rrugë.
Ndërsa drejtori i Qendrës emergjente, Bujar Gashi, tha se numri i aksidenteve me fatalitet është evident nga viti në vit, raporton EO.
Të emocionuar për performancën e tyre ishin edhe personazhet kryesore.