Përparim Rama bën homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit: Lirinë që gëzojmë sot ia kemi borxh UÇK-së

Prishtinë | 06 Mar 2026 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me drejtorët komunalë, ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti në sheshin me të njëjtin emër, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së. Ai theksoi rolin dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit, raporton Ekonomia Online.

Rama pas homazheve u shpreh se Kosova i ka borxh për lirinë që Kosova ka sot.

“Sot jemi këtu tek sheshi “Zahir Pajaziti”, tek monumenti i heroit tonë kombëtar, Zahir Pajaziti. Jemi në proces tash të homazheve. Ishe më herët edhe tek dëshmorët e heroit ku edhe treguam respektin tonë për gjithë atë që kanë bërë dëshmorët e heronjtë tanë kombëtarë për lirinë, për demokracinë, për pavarësinë që sot e gëzojmë ne si vend, si shtet, që na kanë bërë të mundshme që të planifikojmë të ardhmen tonë ne e jo dikush tjetër për ne. Si rezultat, jemi përgjithmonë, për jetë, ju kemi borxh për gjithë atë që kanë dhënë, për gjithë këtë që gëzojmë ne sot. Edhe së bashku me ekipin tonë nga kryeqyteti këtu, me zyrën të cilën e kemi krijuar veçanërisht për respektin dhe ngritjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra edhe të gjitha proceset që kanë të bëjnë edhe me epopenë e UÇK-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Rama.

Rama tha se sakrifica e UÇK-së ka rezultuar me pavarësinë e Kosovës.

“Sot jemi në shenjë respekti për historinë tonë, për të kaluarën që ta respektojmë, ta çmojmë dhe ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Pas kësaj do të shkojmë edhe në Prekaz, së bashku me ekip, të bëjmë homazhe edhe atje për familjen legjendare të komandantit legjendar Adem Jashari, si shenjë respekti për çdo gjë që ka dhënë, për flijimin e jetës së vet dhe të gjithë familjes së tij, të 59 anëtarëve, edhe si rezultat thashë një emancipimi të popullit tonë dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që edhe ka rezultuar me pavarësinë e Republikës së Kosovës”, theksoi tutje Rama.

Ndërsa kryetari i shoqatës së familjarëve të dëshmorëve, Naser Pacolli tha se nuk ka investime të duhura në varrezat e dëshmorëve.

“Sot me rastin e 28 vjetorit të epopesë së ushtarit Kosovar, së bashku me komunën, institucionet komunale të Prishtinës, ishim në nderim të dëshmorëve dhe heronjve tanë. Ne këtë agjendë, domethënë, e kemi trashëguar që nga 1998 kur ushtrimi i Adem Jasharit na ka bashkuar dhe sot e asaj dite i përkujtojmë me nderimet më të larta të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e rënë në të gjitha vendet e trojeve tona. Jo, për fat të keq… për fat të keq nuk është bërë aq sa duhet. Edhe sot kur po flasim kemi, domethënë, komplekse të varrezave të dëshmorëve të papërfunduara, kemi dëshmorë që ende nuk janë bartur nëpër komplekse të dëshmorëve, kemi të zhdukur që rreth 1500 që ende nuk dihet për fatin e tyre. Kështu që i inkurajoj institucionet që t’i bashkojnë këtë qëllim, t’i bashkojnë vlerat për të cilat dëshmorët dhe të gjithë të rënët e kanë dhënë për me krijuar këto institucione dhe me i bashkuar forcat dhe me i çuar përpara vendet”, tha Pacolli.

Të ngjashme