Përparim Rama në aksion për zhvendosjen e kiosqeve në “Muharrem Fejza”, thotë se janë bërë punë të mëdha për 100 ditë

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 13:06 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës ka nisur aksionin për zhvendosjen e kiosqeve në rrugën “Muharrem Fejza” në kryeqytet.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i shoqëruar nga disa drejtorë kanë inspektuar procesin “e çlirimit”, sikur u shpreh ai, të rrugës famëkeqe për problemet e shumta infrastrukturore.

Rama në konferencë, nga vendi ngjarjes, ka treguar se ka negociuar me pronarët e kiosqeve për zhvendosjen e tyre. Sipas tij, kjo mundëson zgjerimin e rrugës “Muharrem Fejza”, brenda 39 ditëve.

“Jemi në rrugën ‘Muharrem Fejza’. Ka qenë premtim që do ta bëjmë zgjidhje. Rrugën e kemi gjetur në gjendje shumë të keqe. E kemi marrë Komunën në dhjetor, në dimër, kemi bërë shumë prej atëherë deri tash, jemi marrë me çështjen e shpronësimit, negocimit më pronarë… Me ta nuk ishte marrë askush përpara. Për fat të mirë, kemi ardhur te pajtimi dhe tani jemi duke bërë zhvendosjen e kabinave që do t’na lejojë përfundimin e kësaj rruge”.

“Krejt rruga përpjetë andej ka qenë në një gjendje shumë të keqe. Ne kemi marrë masa menjëherë për ta shtruar me zhavorr, sepse gjatë kohës me temperature nën zero, nuk mund të kryhen punë të tjera. Tash që jemi në pranverë, koha ka filluar të përmirësohet, jemi me temperature në plus, kemi një tempo të zhvillimit në ‘Muharrem Fejza’. Kemi 40 ditë, 39 prej sot deri në përfundimin e rrugës. Për 39 ditë do ta kryejmë këtë proces”, tha Rama.

Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, tha se me këtë rast do të rregullohen edhe skajoret që janë dëmtuar.

“Gjithë rruga do përfundojë për 40 ditë dhe ne do t’i trajtojmë edhe skajoret që janë të dëmtuar. Ne kemi bërë plan të hollësishëm dhe do ta respektojmë planin dinamik”, ka thënë ai.

Rama iu përgjigjet kritikave të VV-së: Jemi marrë me probleme të mëdha

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, iu është përgjigjur kritikave të asambleistëve të Vetëvendosjes, të cilët më herët gjatë ditës e akuzuan për mospunë në 100 ditët e para në detyrë.

“Duhet opozitë e fortë të na shtyjë të kryejmë punë, por s’e kemi pritur të na shtyjë. Ne kemi bërë shumë projekte, e jemi marrë me probleme të mëdha”, tha Rama, i pyetur nga gazetarët.

LVV në Prishtinë, të enjten në një konferencë për medie, kanë listuar “punët” e kryera nga Rama në kryeqytet. Në pankartën e vendosur para objektit të Komunës së Prishtinës, janë udhëtimet në Londër, pushime në hotele, ndalja e subvencionimit për Covid-19, shtrenjtimi i TAXI-ve etj.

Por, Rama beson se në tre muaj ka bërë shumë punë.

Te punët e kryera, Rama ka përmendur qentë endacakë. Sipas tij, ka nisur tashmë dhënia e pasaportave të kafshëve dhe është ndarë hapësira për strehimoren për qentë.

Sipas tij, është punuar edhe në lirimin e hapësirave publike, ndërsa ka thënë se është bërë analizë e mirëfilltë për komunikacion. “E kemi gati projektin”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se është diskutuar edhe mundësia për blerjen e 30 autobusëve shtesë për trafikun urban, ndërsa ka thënë se do të bëhen ndryshime edhe me “Prishtina Parking”.

Të ngjashme