Përpjekja amerikane për njohjen Kosovë-Serbi, Chollet të mërkurën vjen për vizitë në Prishtinë

Prishtinë | 08 Jan 2023 | 08:38 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet do të qëndroj për vizitë në Kosovë dhe në vendet e rajonit më 11 janar.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim të lëshuar nga DASH-i.

“Këshilltari Chollet do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Serbi, 11-13 janar. Kjo pjesë e fundit e udhëtimeve të Këshilltarit Chollet synon të nënvizojë përkushtimin e qëndrueshëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Më 11 janar, këshilltari Chollet do të udhëtojë në Shkup, Maqedonia e Veriut me një delegacion të veçantë ndërinstitucional, ku do të takohet me krerët e qeverisë për diskutime mbi një sërë çështjesh, duke përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.

“Chollet do të vazhdojë në Prishtinë, Kosovë, për t’u takuar me zyrtarë qeveritarë, liderë të tjerë politikë dhe shoqërinë civile për të diskutuar përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar në avancimin e integrimit të Kosovës dhe euroatlantik, duke përfshirë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke”, thuhet më tej në njoftim.

Kurse një ditë më pas më 12 janar, këshilltari Chollet do të vazhdojë vizitën në Beograd, ku do të diskutojë për sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt synimit të Serbisë për pranimin në BE me udhëheqjen e qeverisë serbe.

“Ai do të diskutojë gjithashtu rolin e Serbisë në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm me dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Të ngjashme