Përpjekjet e institucioneve të Kosovës në funksion të anëtarësimit të vendit në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë, me theks të veçantë në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – INTERPOL, nuk kanë qenë të suksesshme deri më tash.
Kështu u tha gjatë prezantimit të analizës “Nyja e Gordianit: Pengesat e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të sigurisë – Rasti i INTERPOL-it”, të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).
Drjetori i QKKS, Florian Qehaja, tha se që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës angazhimi i institucioneve kosovare ka ngelur më tepër në kufijtë e deklarimeve politike sesa të veprimeve konkrete për anëtarësim në organizatat rajonale e ndërkombëtare të fushës së sigurisë.
“Institucionet përkatëse të Kosovës nuk kanë dëshmuar vendosmëri politike për të vendosur marrëdhënie zyrtare dhe të drejtpërdrejta me INTERPOL-in, derisa urë lidhëse vazhdon të mbetet misioni i UNMIK-ut”, tha Qehaja.
Ai tha se ky hulumtim është ndarë në dy pjesë, ku pjesa e parë trajton kontekstin e përfaqësimit dhe anëtarësimit të Kosovës në nismat rajonale dhe evropiane të sigurisë si dhe bashkëpunimin policor të Kosovës me shtetet tjera.
Ndërkaq, pjesa e dytë e raportit analizon mundësitë, pengesat dhe përparësitë e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.
“Marrëdhëniet e Kosovës me INTERPOL-in, të cilat zhvillohen në mënyrë të tërthortë përmes UNMIK-ut, mosbashkëpunimi në nivel të duhur ndërmjet institucioneve kosovare për anëtarësim në kët♪7 institucion, pengesat nga Serbia dhe aleatët e saj për të bllokuar Kosovën të anëtarësohet në INTERPOL, si dhe mbështetja e këtij procesi nga shtetet përkrahëse të Kosovës përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kësaj pjese”, tha ai.
Për të avokuar dhe ofruar zgjidhjet për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ky hulumtim ka propozuar dy skenarë që do të mund ta shpinin Kosovën drejt anëtarësimit në këtë organizatë.
Në skenarë jepen arsyet për nevojën e menjëhershme të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL me qëllim të zbatimit të ligjit, si dhe parandalimit e luftimit të krimeve që tejkalojnë kufijtë shtetërorë, ku Kosova mund të jap kontributin e saj. Raporti, gjithashtu, përmban një pako me rekomandime konkrete në drejtim të përfaqësimit dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare të sigurisë, me theks të veçantë në INTERPOL.