Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje shteteve që t’i bashkohen një pakti global që synon të garantojë se vendet më pak të pasura do të kenë qasje në vaksinat për koronavirus, duke paralajmëruar për rreziqet e të ashtuquajturit “nacionalizëm për vaksina”, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
Përmes këtij teksti mund të kuptoni planin e OBSH-së dhe qasjet nga kombet e pasura.
Çfarë është programi i OBSH-së për vaksina?
Struktura globale e vaksinimit, COVAX, është një program që synon të bashkojë fondet e shteteve të pasura dhe të organizatave joqeveritare, me qëllim të zhvillimit të vaksinës për sëmundjen COVID-19, që shkakton koroanvirusi, si dhe ta shpërndajë atë në gjithë botën.
Qëllimi tij është që të sigurojë 2 miliardë doza të vaksinës së miratuar për COVID-19 deri në fund të vitit 2021.
Detajet e programit janë duke u analizuar deri më 31 gusht, kur edhe është afati i fundit që shtetet t’i bashkohen kësaj nisme. Programi drejtohet nga OBSH-ja, aleanca për vaksinën, Gavi dhe Koalicioni për Inovacion dhe Përgatitje për Epidemi (CEPI).
COVAX është pjesë e një programi më të zgjeruar, i quajtur Përshpejtuesi për Qasje në Mjetet për COVID-19, i cili mëton të sigurojë se vaksina, trajtimet, diagnozat e testeve dhe burimet tjera shëndetësore do të mund të jenë të qasshme për luftim të pandemisë.
Çfarë janë duke bërë shtetet e pasura?
Ato janë të fokusuara që të sigurojnë vaksina për qytetarët e tyre, duke nënshkruar marrëveshje për dozat e para të vaksinës, ndonëse ende nuk ka një të tillë që është treguar efektive.
Qeveritë si ato të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë dhe Bashkimit Evropian kanë shpenzuar dhjetëra miliardë dollarë në marrëveshje për vaksinë, me kompanitë si; Pfizer Inc, Johnson & Johnson, AstraZeneca Plc dhe disa të tjera.
Shtetet e Bashkuara kanë ndarë rreth 11 miliardë dollarë për zhvillimin, testimin, prodhimin dhe ruajtjen e miliona dozave të vaksinës.
Rusia dhe Kina janë duke punuar po ashtu në vaksina dhe tashmë kanë nisur të vaksinojnë disa prej qytetarëve të tyre.
Çfarë burime po synohet të sigurohen?
Përshpejtuesi për Qasje në Mjetet për COVID-19 financohet nga një varg qeverish dhe organizatash joqeveritare. Synimin e ka që të krijojë një fond prej 31 miliardë dollarëve.
Deri më tani COVAX ka fituar vëmendjen e 92 shteteve më të varfra, të cilat shpresojnë se donacionet vullnetare dhe 80 shtetet më të pasura, do të financojnë këtë skemë, sipas OBSH-së.
Cili është shqetësimi i OBSH-së?
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësim se vendimi i shteteve të pasura që të sigurojnë vaksinat për qytetarët e tyre, mund të pengojë përpjekjet për t’i dhënë fund pandemisë.
“Neve na duhet ta parandalojnë nacionalizimin për vaksina”, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, përgjatë një konference për media të martën.
“Shpërndarja e furnizimeve në mënyrë strategjike dhe në nivel global është interes kombëtar i secilit shtet”.
Liderët e OBSH-së kanë thënë se zhvillimi I një sistemi të koordinuar për shpërndarje globale të vaksinave për COVID-19, që u jep prioritet atyre që janë në rrezik të infektimit me virus siç janë punëtorët shëndetësorë, do të ndihmonte në parandalimin e përhapjes së koronavirusit në nivel botëror.