Dy avionë luftarakë të Gjermanisë, Eurofighter Typhoon, u përplasën dhe u rrëzuan në verilindje të këtij vendi.
Edhe pse të dy pilotët arritën të dalin nga avionët, raportet lokale thonë se njëri prej tyre ka vdekur.
Njëri nga avionët u rrëzua në një pyll, ndërsa tjetri pranë një fshati rreth 10 km larg, tha Ministria e Brendshme në landin Meklenburg-Vorpomern.
Përplasja ndodhi derisa dy avionët Eurofighter Typhoon po merrnin pjesë në një stërvitje luftarake.
Mediat lokale treguan pamjet e tymit nga të dy avionët, pasi ata goditën tokën.
Policia paralajmëroi se pjesët e avionëve janë shpërndarë në zona më të mëdha dhe se ato janë të rrezikshme.
Ushtria e Gjermanisë ka rreth 140 avionë Eurofighter Typhoon.