Përplasi për vdekje vjehrrën e nuse, lihet në burg 22-vjeçari.
Daniel Brahollari doli dje para Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës për vdekjen e dyfishtë, të shkaktuar me makinë në afërsi të rrethrrotullimit të ish-Kënetës.
I riu tha në Gjykatë se nuk kishte qenë me shpejtësi kur ndodhi përplasja, por se dy gratë i kishin dalë papritur para në rrugë. Brahollari tregoi se në rrugë nuk kishte drita, ndaj nuk i pa dy gratë, Sabrie dhe Bukurie Cufaj, kur po kalonin rrugën. aksident durres viktima
“Nuk kishte drita. Isha me 40 km dhe isha mbrapa një mjeti tjetër. Në një moment, makina para hapi krahun duke kaluar djathtas. Mendova se më hapi krahun për ta parakaluar, ndërsa dy persona kaluan me shpejtësi. Në fakt, mjeti para meje kishte shmangur gratë që ishin futur për të kaluar në krahun tjetër të rrugës. Nuk kisha fushëpamje, pasi përpara, siç thashë, kisha mjetin tjetër që më pengonte. Në momentin që i pashë në mes të rrugës nuk kisha kohë që të frenoja. I përplasa, nuk e di nëse ndërruan jetë si pasojë e kësaj përplasjeje apo nga ndonjë përplasje tjetër. Mbi trupat e tyre kaluan edhe makina të tjera. Në këtë pikë kam dyshime, isha unë shkaktari që ato ndërruan jetë apo ishin makina të tjera. Kërkoj të hetohet thellësisht kjo ngjarje”, tha Brahollari, i cili është student në Fakultetin e Drejtësisë me nota të shkëlqyera.
Avokati mbrojtës i tij kërkoi një masë shtrënguese më të lehtë për të me qëllim që të mos ndikonte te studimet e 22-vjeçarit. Pasi dëgjoi dëshminë dhe akuzat e Prokurorisë, gjyqtarja vendosi të lërë të riun në qeli me masë sigurie arrest me burg.
Ngjarja ndodhi më 12 janar rreth orës 19:30, ku Daniel Brahollari ishte në drejtimin e një makine tip “BMW” me targa AA 835 BD. Sipas Policisë, përplasja ka qenë shumë e fortë, pasi mjeti ishte duke lëvizur me shpejtësi të madhe, duke u shkaktuar vdekje të menjëhershme të dy këmbësoreve.
Ndërkohë, bëhet e ditur se do të jetë ekspertiza ligjore, që do të zbardhë rrethanat e mëtejshme të aksidentit, e cila kërkon afatet e saj. Katër ditë më parë, Bukurie Cufaj, 56 vjeçe, dhe nusja e djalit të saj, Sabije Cufaj, 38 vjeçe, kanë qenë duke zbritur nga autobusi që i merrte nga rrobaqepësia, kur janë përplasur nga një automjet tip “BMW” që drejtohej nga 22-vjeçari, dhe për pasojë humbën jetën në mënyrë tragjike.
Aksidenti me dy viktima ngriti në protestë banorët e ish-Kënetës për mungesën e sinjalistikës, por megjithatë në rrugën që ka marrë 24 jetë në 10 vite nuk ka asnjë masë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Vëllazërimi”.