Në Kosovë ka nisur një debat për rendimentin e grurit dhe për ministrin e Bujqësisë “paraqet rrezik për sigurinë kombëtare”. Sa grurë do të sigurojë Kosova sivjet?
Fushata e korrje-shirjeve të grurit në vend po vazhdon ndërsa fermerët kanë të dhëna tjera prej Ministrisë së Bujqësisë lidhur me redimentin e sivjetmë.
Qeveria në mars ndau 50 milionë euro për subvencionimin e bujqësisë dhe pret që kjo të japë rezultate shpejt.
Disa fermerë u shprehën se nuk mund të garantojnë sasi dhe cilësi të duhur të grurit sivjet për shkak të kushteve të pafavorshme klimatike dhe shtrenjtimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve, por ministri i Bujqësisë, Faton Peci pret vit të begatë dhe insiston se do të dalë e kundërta. Ministri me ta nuk pajtohet as për kushtet klimatike.
“..Për fat, këtë vit presim dhe rendiment më të lartë falë kushteve të volitshme klimatike që kanë mbizotëruar në vendin tonë”, shkroi ministri në fillim të muajit, kur shkoi në Suharekë me kryeministrin Albin Kurti për ta parë nga afër nisjen e korrjes së grurit.
Në botë për rendimentin e grurit ka kohë që po diskutohet, ndërsa Rusia po mundohet ta ndalë eksportin e Ukrainës, nga çka janë të varura shumë vende. Në Kosovë debati për grurin nisi javën e kaluar. Pal Gjuraj nga Shoqata e Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë të mërkurën se sivjet pritet të ketë më pak grurë sesa vitin e kaluar.
“Nuk pritet ndonjë rendiment, po flas për ditët e para të fillimit të korrjes. Pritet që për një hektar tokë, rendimenti të arrijë 3.500 kilogramë, ndërkaq vitin e kaluar kjo ishte mbi 4.200 kilogramë”, tha ai, duke shtuar se me këtë sasi të rendimentit do të sigurohet rreth 50 për qind e kërkesave të popullatës.
Ministria e Bujqësisë pret që Kosova t’i plotësojë rreth 70% të nevojave për grurë. Udhëheqësi i këtij dikasteri, Faton Peci, të shtunën reagoi në Facebook duke shkruar se dikush po përpiqet “ta dezinformojë opinionin publik dhe t’i shqetësojë qytetarët e Republikës së Kosovës rreth sigurisë ushqimore”.
Këtë vit, Peci tha se “sipërfaqja e drithërave të mbjellura është 33.04% më shumë se vitin e kaluar”.
“Deri më tani, nga tereni raportohet që rendimenti në shumicën e vendeve e tejkalon edhe mesataren prej 4000kg për hektarë. Në baza javore pranojmë informata prej Drejtorive Komunale të Bujqësisë, në bazë të të cilave edhe përditësohet Raporti i të dhënave rreth Korrje-Shirjeve”, shkroi ai.
Qytetarëve iu tha “mos bini pre e keq-informimit”, duke përmendur “individë të cilët nuk kanë arritur që t’i realizojnë kapriçot e veta personale, e në këtë mënyrë të ndikojë në rritjen artificiale të kërkesës për produkte bazike ushqimore”.
“Nuk ka vend as për panikë, as për shqetësim të kësaj natyre”, shkroi ministri.
Koordinatori për Bujqësi në kabinetin për qeverisje të mirë në PDK, Naim Ismajli reagoi, duke shkruar se “shifrat zyrtare janë publike dhe e demantojnë keq këtë qeveri”.
“Derisa ministri Peci thekson me mburrje se këtë vit Kosova kishte të mbjella 66 mijë hektarë me grurë duke e paraqitur këtë shifër si thyrje rekordi krahasuar me vitin e kaluar, ai po “harron” të shikoj rendimentet e para pak vitesh 2012-2017 kur Peci nuk ishte ministër e kur në Kosovë fermerët mbillnin nga 89 mijë e deri në mbi 100 mijë hektarë tokë me grurë”, ka shkruar Ismajli.
Të dielën, ministri foli për sipërfaqen e mbjellë me grurë duke thënë se dikush po dëshiron që “kundërligjshëm të përfitojë më shumë se 5 milionë euro”.
“Të gjithë ata që përmes deklaratave të tyre po vazhdojnë të shfrytëzojnë mediat duke pohuar të pa-vërtetat se në Kosovë ka vetëm 40 mijë hektarë të mbjellura me grurë; mesiguri një veprim të tillë e bëjnë pasi që veç i kanë paraqitur “faktet” dhe të dhënat paraprakisht në prokurori (ndryshe mendja e shëndoshë nuk e kupton, se dikush mund të konsumojë vepër penale në mënyrë të vetëdishme) sepse kushdo që ka informacione që pretendon se numri i sipërfaqeve është vetëm 40 mijë i bie rreth 11 e 282 hektarë më pak dhe se dikush po tenton të manipulojë, duke dashur që kundërligjshëm të përfitojë më shumë se 5 milionë euro apo saktësisht 5.347.668 euro të taksapaguesve tanë”, shkroi Peci.
Ky diskutim, sipas ministrit, “paraqet rrezik për sigurinë kombëtare”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në Kosovë janë të mjellura 66,159.52 hektarë sipërfaqe me grurë.
Për rendimentin e grurit, Naim Bytyqi, udhëheqës i fushatës së korrje-shirjeve në Pejë, thotë se ministri “po gënjen” ose “nuk di të llogaris”.
“I morëm vagat, i krahasuam. Nuk po e mbërrin rendimentin mbi 3 mijë për hektar”, tha Bytyqi të hënën në Frontal të T7. Ai tha se pas 3-4 muajsh “do të dalë e vërteta”.
Të dhënat zyrtare tregojnë në Kosovë nevojat për grurë për kokë banori janë 204 kilogramë, që i bie se duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë.
Në vitin 2020, Kosova kishte siguruar 341 mijë tonë grurë nga 80 mijë hektarë sipërfaqe të mbjella me këtë kulturë. Të dhëna për vitin e kaluar nuk ka.
Imer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, vlerësoi se Kosova edhe sivjet do të varet nga importi. Në bazë të sasisë dhe cilësisë së grurit, ai llogariti se gjysma e nevojës së kërkesave të qytetarëve për këtë produkt nuk do të përmbushen.
“Unë besoj se nga muaji shtator, përkatësisht tetor, ky çmim do të jetë dyfish më i lartë. Pra, është vit më i vështirë në raport me vitet e kaluara, sfidat janë shumë të mëdha. Dhe, nga janari mund të ballafaqohemi, mos të themi me pasiguri ushqimore, por sigurisht me çmime enorme të grurit. Dhe nga gruri më pas shtrenjtohen edhe produkte tjera ushqimore”, tha Rusinovci për REL.
Serbia është vendi nga ku Kosova importon sasinë më të madhe të grurit dhe miellit. Fqinji verior ka paralajmëruar në mars se do ta pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit për shkak të krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Kryeministri Albin Kurti, duke komentuar vendimin e Serbisë për eksportet, tha në një konferencë për media në mars se “nuk ka vend për panik”.
“Nuk kemi varësi ekzistenciale nga Serbia”, është shprehur shefi i Qeverisë.
Rusia dhe Ukraina eksportojnë gati një të tretën e grurit dhe elbit në botë. Tani, miliona tonë grurë dhe drithëra të tjera janë bllokuar në portet e Ukrainës, duke alarmuar për krizën dhe rritjen e çmimeve në të gjithë botën.
Sivjet, prodhimi botëror i grurit, orizit dhe drithërave të tjera pritet të arrijë në 2.78 miliardë tonë më 2022, 16 milionë tonë më pak se vitin e kaluar.express/