Pas plot 11 viteve, deputetët e VMRO-DPMNE-së në krye me Nikolla Gruevskin u rikthyen në kolltukët që i takojnë opozitës.
Kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi seancën e filloi në gjuhën shqipe, akt ky që i irritoi deputetet tashmë të opozitës, ata të VMRO-DPMNE-së.
Deputet Xhaferi fillimisht më lejoni tu them një punë që nga fillimi i seancës e bëni, e shkelni Kushtetutën dhe ligjin për përdorimin e gjuhëve. Në nenin 3 paragrafi një shkruan se gjuha zyrtare në Kuvend është gjuha maqedonase.
Në paragrafin dy, deputeti i cili flet gjuhë të ndryshme nga maqedonasja, dhe që e flasin së paku 20% prej qytetarëve mund në seancë të trupit të punës dhe seancë të Kuvendit të flasë në gjuhën amë– tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.
Xhaferi me kundërpërgjigje, derisa nuk më drejtoheni me kryetar, do të flas në gjuhën shqipe.
“Të ju rikujtoj i nderuar kolegë Milloshovski, se nëse vazhdoni t’i drejtoheni deputetit Talat Xhaferi, atëherë në përputhshmëri me Rregulloren dhe me ligjin, deputeti Talat Xhaferi ka të drejtë të përdorë gjuhën e tij” tha Xhaferi.
Goran Misovski nga shumica parlamentare akuzoi deputetët e VMRO-së se po pengojnë formimin e komisioneve dhe me këtë pamundëson funksionimin normal të Parlamentit.
“Është dita e nëntë prej kur VMRO-DPMNE refuzon, të përsëris, refuzon të dërgoj propozime për formimin e Komisioneve në Kuvend. Derisa deputetët e VMRO-DPMNE-s pengojnë formimin e komisioneve dhe grupeve të deputetëve, Kuvendi e ka të pamundur të jep zgjidhje ligjore– tha deputeti i PRSD Goran Misovski.
Sipas rregullores së Kuvendit, debati për Qeverinë e re do të zgjasë deri të mërkurën në mesnatë, kur edhe duhet të votohet Qeveria e Zoran Zaevit, raporton Alsat-M.