Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para deputetëve në Kuvendin e Kosovës ka folur dje për propozimin franko-gjerman, i njohur tashmë si propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve.
Kurti në një përplasje me opozitën tha se nëse do i thonin “jo” këtij propozimi, Kosova do të hynte në një rrugë të konfrontimit me aleatët ndërkombëtarë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
I pari i Qeverisë tha se në takimin e 20 janarit të këtij viti me Mirsolav Lajçak dhe emisarët gjerman, francez e italian, ia bëën të qartë Kurtit se propozimi ishte pranë formatit “merre ose leje”.
Kurti para deputetëve në Kuvend tha se ndërkombëtarët ia kanë bërë të qartë atij se nëse ky propozim kundërshtohet, atëherë Kosova do të kishte ndëshkime diplomatike dhe do të dobësohej besimi i aleatëve me shtetin tonë.
Nëse Kosova do i thoshte “jo” këtij propozimi nga BE-ja, atëherë Kurti tha se shteti do të hynte në një rrugë të konfrontimit me aleatët ndërkombëtarë.
“Më 20 janar 2023, emisarët ndërkombëtarë që e shoqëruan ndërmjetësuesin Lajçak, pra emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa qëndrime në këtë takim të fundit. Ata ma bënë të qartë se propozimi kryesor është pranë formatit ‘leje ose merre’. Nuk do të lejohet negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët, është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta. Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohej me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën dhe do të krijoj dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve te tyre”, tha Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Por, opozita ka pasur reagime të ashpra duke thënë se Kurti e ka larguar Kosovën nga marrëveshja finale me Serbinë.
Një varg kritikash për Kurtin i ka pasur kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku e kritikoi Kurtin për mungesë transparence sa i përket dialogut, ndërsa tha se “kaq shumë shpërfillje ndaj përfaqësuesve të popullit, nuk ka treguar askush asnjëherë”.
“Nuk mund të pranosh si bazë të mirë diçka që është merre ose leje. Ose është bazë përfundimtare ose është bazë fillestare. Dhe e dyta, shpërputhja më e madhe është në mes të refuzimit që provon të ia bëjë asociacionit dhe pranimit brenda draftit që na elaboroi e që nuk e kemi parë asnjëri nga ne, të respektimit të marrëveshjeve paraprake”.
“Respektimi i marrëveshjeve paraprake në thelb është pranimi i Asociacionit. Për LDK-në ky Asociacion duhet të bëhet sipas interpretimit kushtetues. Dhe ky interpretim kushtetues i heq të gjitha elementet e frikës që mund t’i kemi të gjithë, por nuk mund të bësh lojëra politike këtu në Kuvend, të thuash në një anë nuk do ta bëjë Asociacionin. por kam pranuar një marrëveshje merre ose leje për respektimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake”, ka thënë Abdixhiku në seancën e djeshme të Kuvendit.
Për mungesë transparence sa i përket dialogut me Serbinë, kryeministri Kurti mori kritika edhe nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
Krasniqi kërkoi sqarime nga Kurti se a e ofron propozimi franko-gjerman mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obligative për palët apo vetëm krijimin e një status quoje të re që e zëvendëson status quonë aktuale.
“Çka është qëllimi i propozimit evropian? A ofron ky propozim mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obligative për palët apo vetëm krijimin e një status kuoje të re që e zëvendëson status kuonë aktuale? A është ky propozim vazhdimësi e Dialogut të deritashëm apo një pikënisje e një procesi të ri? Cila është korniza kohore për arritjen ose mosarritjen e marrëveshjes potenciale? A është formati i këtij propozimi një lloj traktati që i njeh si entitete sovrane edhe Kosovën, edhe Serbinë? Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e këtij propozimi? A e keni pranuar këtë tekst në parim dhe sa besoni se mund të ndryshojë teksti final prej versionit që keni deklaruar se e pranoni si bazë të mirë? A e parasheh propozimi evropian njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë? A e ofron propozimi një kornizë kohore të saktë se kur ndodhë njohja e ndërsjellë? Sa ka arritur qeveria që të përfshijë komentet dhe sugjerimet e veta në versionin e fundit të tekstit? Kush janë garantuesit e zbatimit të marrëveshjes që mund të arrihet përmes këtij propozimi? A keni garancione nga partnerët ndërkombëtarë se Kosova do të njihet nga pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, në rast se arrihet marrëveshja? Cilat do të jenë “karrotat” për Kosovën në rast të arritjes së marrëveshjes e cilët do të jenë “shkopinjtë” në rast se marrëveshja nuk arrihet? A ua keni kumtuar gjashtë kushtet tuaja për themelimin e Asociacionit partnerëve ndërkombëtarë dhe nëse ato nuk pranohen, a do të tërhiqeni prej ndonjërit nga ato kusht? Dhe, a parashihet vazhdimi i Dialogut në Bruksel edhe pas arritjes së marrëveshjes potenciale?”, ishin pyetjet e Krasniqit drejtuar kryeministrit.
Krasniqi tha se do të kishte qenë e udhës që Qeveria ta ftonte opozitën në Kuvend për të raportuar në mënyrë periodike për ecurinë e dialogut.
Lideri i PDK-së ritheksoi se përkundër faktit që Kurti si kryeministër ka dështuar në çdo fushë në rrafshin e brendshëm, në raport me Serbinë, spektri politik i Kosovës duhet të jetë unanim.
Nga opozita, pro planit franko-gjerman apo evropian doli vetëm kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se marrëveshja franko-gjermane është e garantuar nga Amerika dhe se ajo duhet që të pranohet.
Ai tha se me pranimin e kësaj marrëveshje zhbllokohet rruga e Kosovës drejtë BE-së.
“Një parametër tjetër që e garanton shtetësinë e një vendi është mbrojtja. Besoj që kushdo ka luftua e di rendësinë e kësaj komponente. Me 24 mars, 1999, si edhe sot, mbrojtja jonë ndërlidhet nga një aleancë me Amerikën dhe NATO. Kushdo prej nesh që beson që angazhimi ynë i deritashëm nuk e ka shtyllën tek kjo parametër është duke e mohuar shtyllën e shtetësisë sonë. Jemi partner në projekte të mëdha ushtarake. Ushtritë e NATO-s kanë zhvilluar ushtrimet më të mëdha”.
“Kemi marrë konfirmimin prej Amerikës që do të përkrahemi për partneritet për paqe. Pasojat që i kemi në zgjerimin e përmbylljes së një procesi të rendit dhe qetësisë në veri. Proceset tona me BE-në zhbllokohen”.
“Kjo është finalja, nuk do të ketë më marrëveshje me Serbinë. Që të thuhet se ka edhe një marrëveshje jeni gabim. Unë besoj që kjo marrëveshje është ndarja finale me Serbinë. Vërtet quhet plan franko-gjerman por ai është plan Amerikan. Ne duhet ta kemi guxim dhe ta shpallim mbylljen e dialogut”, tha Haradinaj në seancën djeshme të Kuvendit.
Në fund seanca e Kuvendit është shtyrë me kërkesë të opozitës, ku as pas pauzës prej një orëshe, pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti, lëshoi seancën dhe nuk u kthye.