Edhe pse të gjitha sondazhet po tregojnë për një shumicë të vetme të Partisë Socialiste dhe një rënie drastike të PD, e cila po kalon minimumin e saj historik, kryetari i PD, Lulzim Basha, duket i pashqetësuar.
Fushata e tij elektorale do të mbahet mend si fushata me e disiplinuar teknikisht, e pandikueshme fare nga klima politike, gati një fushatë robotike, që përsërit gjërat për të cilat ka vendosur të thotë dhe nuk merret fare me emocionet e fushatës. Në të vetmet raste kur tradhëton veten, është rasti kur tenton të bëjë humor dhe del keq. Në të tjerat është shumë i disiplinuar.
Ndryshe nga Edi Rama dhe Ilir Meta, të cilët njëri me gallatë, e tjetri me inat, po përpiqen t’i japin zjarr fushatës, Basha është i qetë.
Natyrisht nuk është një qetësi fitoreje. Është një qetësi që vjen nga fakti se ka pranuar atë që po ndodh, por është i sigurtë që do përballet me një parti që tashmë është e vetja dhe do ta mbrojë.
Përpara zgjedhjeve, Basha kishte dy opsione. E para, ta mbante PD larg zgjedhjeve dhe të shmangte ballafaqimin me humbjen, dhe e dyta, të futej në zgjedhje duke spastruar kundërshtarët, që të mos ballafaqohej me ta fizikisht pas zgjedhjeve. Marrëveshja me Ramën e detyroi të bënte të dytën.
Është kjo arsyeja që ai sot nuk është i shqetësuar fare nga sondazhet. Fjala vjen, sondazhi i Vlorës e çon numrin e deputetëve të PD nga 2 deri në 4. D.m.th të sigurt e kanë vetëm dy biznesmenët që ai ka vënë në listë, që janë të panjohur për PD. Biles njëri ka qenë pjesë e fushatës së Erion Veliajt më 2015. Dulja dhe Ristani e kanë të pasigurt. E njëjta gjë mund të thuhet në Tiranë, ku vizorja mund të prekë dhe Dashamir Shehin e Fatmir Mediun, në Durrës ku mund të prekë Agron Dukën e kështu me radhë.
Basha nuk duket i shqetësuar për këtë gjë. Qetësia e tij buron nga fakti se ai nuk ka ende një kandidat përballë tij në PD. Të kompleksuar për të mos u dukur fajtorë në humbjen e Bashës, kundërshtarët e tij u fshinë nga lista dhe po rrinë maksimumi në shtëpi, duke bërë thirrje formale të votohet PD. Por në fakt nuk është se kanë qejf t’i dëgjojë dikush. Thjesht po presin të mbarojnë zgjedhjet, të ballafaqohen me Bashën, një ballafaqim që ai nuk ka ndërmend t’ua japë si shans.
Në të gjitha variantet, Basha është i qetë se do të ruajë siglën e PD, emrin e saj, dhe deputetët e tij. Të tjerët do të përballen me të, por do të largohen nga PD. Në fund, dhe Berisha do të qëndrojë me Bashën, për të mos u dukur i dobët, i parëndësishëm dhe i tradhtuar nga një beniamin i tij.
Për të shkuar në rrugën e pushtetit, Bashës i duhen ndryshime të forta në kodin zgjedhor, disa trofe nga ndryshimet kushtetuese, siç ju deshën Ramës më 2008, dhe ndoshta ndonjë korrigjim në reformën territoriale. Pas kësaj, ai do të fillojë betejën e tij për të fituar pushtetin. Këtë radhë ai ka betejën për të fituar PD. Dhe duket se nuk e fitoi, por ua mori.