Përsëri paraburgim për 10 të dyshuar për terrorizëm

Prishtinë | 16 Jan 2017 | 18:58 | Nga

17 personat dyshohen se po përgatisnin atentate terroriste në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Gjyqtari Vehbi Kashtanjeva ka caktuar masën e paraburgimit ndaj B.B., V.I., L.M., K.P., Xh.T., L.S., F.G., L.G., A.A. dhe A.Sh., masën e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit L.V., kurse masën e paraqitjes në stacion policor ndaj L.M., B.P., B.I., H.R., A.K. si dhe M.Sh.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Merita Bina-Rugova, kishte kërkuar paraburgim për të 17 të dyshuarit për terrorizëm.

Këta persona janë arrestuar në fillim të nëntorit të vitit të kaluar nën dyshimin se po përgatisnin sulme terroriste në Republikën e Kosovës, në Shqipëri dhe Maqedoni.

Fillimisht ndaj të gjithëve ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila më pastaj ishte zbutur ndaj 7 prej të dyshuarve.

Një vendim i Gjykatës Supreme të Kosovës këtë rast e riktheu në rigjykim, duke kërkuar prova shtesë për të dyshuarit.

Avokatja Albana Kelmendi tha për KALLXO.com se do të bëjë përsëri ankesë ndaj këtij vendimi sepse nuk janë paraqitur prova të reja.

“Nuk është paraqitur asnjë provë e re siç ka kërkuar Gjykata Supreme me vendimin e saj. Prokurorja është bazuar vetëm në deklaratat e të pandehurve dhe nuk ka asnjë provë”, tha Kelmendi.

Të ngjashme