Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë për shkak të sjelljes “mafioze”. Në këtë mënyrë ai reagoi ndaj bastisjeve të fundit në zyrat presidenciale, ka shkruar të hënën DW.
“Dalja nga situata e tanishme është: Dorëheqja e qeverisë dhe prokurorit të shtetit”, deklaroi presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, në një paraqitje televizive pas bastisjeve të fundit në zyrat presidenciale. “Karakteri mafioz i qeverisë bullgare ka shkaktuar pakënaqësi tek secili në Bullgari, ndaj të gjithë kërkojnë tani respektimin e ligjeve”.
Ishte ky reagimi i Radevit ndaj demonstratave të fundit kundër qeverisë bullgare, që janë mbajtur në Sofje. Në Bullgari është themeluar së fundi një “Konsens Anti-Mafia”, kundër korrupsionit dhe frikësimit të njerëzve, deklaroi Radev, i cili paralajmëroi qeverinë e kryeministrit Boyko Borissov për gjendjen.
Shkaku i këtyre kërkesave për dorëheqje janë bastisjet dhe kontrollet e zyrave të dy bashkëpunëtorëve të lartë të presidentit, të cilët janë arrestuar. Radev pohoi se përgjegjëse për këto bastisje është Qeveria e Borissovit.
Këta persona janë bastisur për shkak të hetimeve kundër korrupsionit dhe publikimit të sekreteve të shtetit.
Në shenjë proteste të premten në mbrëmje u mblodhën mijëra vetë në Sofje duke kundërshtuar arrestimet. Gjatë protestave u arrestuan të paktën 18 persona. Demonstruesit kanë sulmuar policinë me shishe dhe gurë, njoftoi partia në pushtet, GERB. Shumë policë dhe demonstrues janë lënduar. Protesta kundër qeverisë ka pasur edhe të shtunën dhe të dielën.
Radev i cili ka mbështetjen e socialistëve në opozitë, ka kundërshtuar qeverinë nacional-konservatore dhe prokurorin Ivan Geshev për lidhje me oligarkët dhe sjellje antiligjore. Radev ka kërkuar dorëheqjen e tyre si “zgjidhja më e mirë”. Presidenti tha, se “BE ka nevojë për një Bullgari demokratike”, që lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend.
Prokurori Geshev konsideron, se presidenti Radev ka shkelur Kushtetutën e vendit: “Bashkuesi i kombit po i lejon vetes sërish që të sulmojë autoritetet juridike dhe po bën presion të madh ndaj prokurorisë”, ka shkruar prokurori në Twitter.
Kryeminisri Borissov ka reaguar përmes një videoje në Facebook dhe ka kërkuar dorëheqjen e presidentit Radev: “Ne në qeveri do të respektojmë vetëm përgjegjësitë tona dhe asgjë tjetër”, tha Borissov. Ai tha se Bullgaria do të përçahet nëse socialistët vijnë në pushtet.