Përurohet fabrika që mundëson furnizim me ujë 24 orë

Prishtinë | 17 Mar 2017 | 13:14 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është bërë inaugurimi i Fabrikës së re për përpunimin e ujit në Shkabaj, për të cilën u tha se i jep fund problemit me furnizim me ujë për kryeqytetin dhe komunat e tjera përreth.

Gjatë përurimit u theksua se përurimi i kësaj fabrike është një kryevepër në sektorin e ujërave, raporton Ekonomia Online.

Në këtë ceremoni, pjesëmarrës ishim kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli; kryeministri Isa Mustafa; ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci; kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti; shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova; ambasadorja e Gjermanisë, Angelika Viets, dhe drejtori i KFW-së, Roland Siller.

Kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu, tha se ndihet me fat që është kryeshef i kësaj kompanie.

“Projekti që po e përurojmë sot është vazhdimësi e projektit të “Prishtina faza’, faza e dytë dhe faza tre. Me lëshimin në punë me kapacitet të plotë të këtij impianti do të arrihet një furnizim i qëndrueshëm i ujit për banorët e Prishtinës , Fushë Kosovës, Obiliqit dhe indirekt do të përfitojnë Komuna e Podujevës dhe Graçanicës , por kur jemi te kjo do të përfitojnë edhe komunat që ne menaxhojmë si Drenasi, Lipjani dhe Shtimja . Neve na mbetet të vazhdojmë me punë tjera konkrete në bashkëpunim me nivelet lokale dhe ato qeveritare gjithmonë duke shpresuar në përkrahje të vazhdueshme të donatorëve me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për konsumatorët”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi se kjo fabrikë do tu krijojë qytetarëve të Prishtinës 24 orë ujë.

“Sot jemi para një momenti ku do të bëhet edhe fillimi i punës së kësaj fabrike për të cilën duhet të jenë të sigurtë të gjithë qytetarët e kryeqytetit tonë, në të njëjtën kohë edhe qytetit i cili është shumë industrial, i cili ka pasur shumë nevojë për këtë ujë, qytetit të Obiliqit do të kenë ujë të pijshëm për 24 orë në ditë . Kjo në fakt do të rritë kualitetin e jetës në qytetin tonë edhe në qytetin e Obiliqit, por në të njëjtën kohë ajo që është më kryesore dhe si reputacion i Republikës së Kosovës si kryeqendër nuk do të jetë më narrativ prej mysafirëve kur të vijnë për të treguar se pas orës 12 nuk ka ujë në kryeqytetin e një shteti më të ri në Evropë”, ka pohuar Veseli.

Ai ka falënderuar shtetin gjerman për ofrimin e bashkëpunimit.

“Kjo është ajo që duhet të merremi, jo me akuza e kundërakuza, por me projekte të tilla, qytetarët duan ujë të pijshëm dhe ky është problemi me të cilin ballafaqohemi”, shtoi Veseli.

Kryeministri Isa Mustafa tha se sot po promovohet njëri prej investimeve më të mëdha.

“Është kënaqësi e madhe që ne po zgjidhim problemet më të rënda të qytetarëve, problemin e ujit, problemin e energjisë, problemin e ngrohjes që nuk e kanë rënduar vetëm Prishtinën si komunën më të madhe të Kosovës dhe kryeqendrën por kanë ngarkuar edhe komunat e tjera. Me këtë tani nuk po zgjidhet vetëm problemi i furnizimit të rregullt të ujit për Prishtinën por edhe të gjashtë komunave që janë të ndërlidhura me këtë ujësjellës rajonal. Më vjen mirë që Komuna e Prishtinës i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta në shumën prej pesë milionëve. Kemi arritur që ky investim të realizohet me sukses dhe të kryhet përafërsisht në afatin e paraparë”, ka thënë Mustafa.

Më tej, kryeministri theksoi se me këtë nuk po zgjidhet vetëm problemi i furnizimit të rregullt me ujë të Prishtinës, por edhe të gjashtë komunave që janë të ndërlidhura me këtë ujësjellës rajonal, të cilat do të kenë ujë më shumë, për arsye të furnizimit më të madh.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se sot po përurohet një kryevepër në sektorin e ujërave.

“Sot më 17 mars 2017 po e përurojmë një kryevepër tjetër në sektorin e ujërave, njërën nga më të mëdhatë edhe si investim por edhe si ndikim në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të shtëpive, ndërtesave, bizneseve aq të nevojshme në dekadën kur problemet ujit dhe të energjisë njëherë e përgjithmonë do t’i zgjidhim. Me sa duket numri 17 ka edhe një simbolikë të veçantë edhe për vitin në të cilin ndodhemi sepse ne sivjet pos ngrohjes edhe ujit do ta bëjmë edhe zgjidhjen e përhershme me furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij, në total do të përfitojnë shumë komuna si ajo e Prishtinës, Obiliqit, Fushë Kosovës e komuna të tjera.

Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, theksoi se kjo e benë ndryshim në jetën e të gjithëve.

“Ky është një projekt më i madh i ujërave në Kosovë. E kuptoj se më parë uji ka qenë prej 8 deri në 12 orë ujë ndërsa tani kjo do të zgjidhët. Fabrika do të ngrit zhvillimin ekonomik në rajon. BE-ja gjithashtu i ka ndihmuar Kosovës më sektorin e ambientit. BE-ja është këtu që të japë dorën në procesin e ndërtimit të një shoqërie më prosperuese në Kosovë. Pres me padurim që t’i bashkojmë forcat në zhvillim të Kosovës”, ka thënë ajo.

Shpend Ahmeti kryetar i Komunës së Prishtinës tha se në këto ditë kur lajmet janë të zymta “një lajm si ky sot është një ndër më të mirat për qytetarët e Prishtinës”.

“Çdo sondazh që kemi bërë ka dalë që problemi me ujë është më i madhi. E kemi prit këtë ditë. Sot ia shtojmë 700 litra në sekondë ujë qytetarëve”, ka thënë ai.

“Në dy vitet e para të këtij projekti e kemi ditur sa kemi hequr dhe me këtë po e përfundojmë një projekt që është kontribut i të gjithëve. Në veçanti dua të falënderoj qytetarët për durimin e tyre”, ka thënë ai.

Ndërtimi i Fabrikës e re të ujit të pijshëm në Shkabaj kap vlerën prej 35 milionë euro. Financues të projektit janë: Komuna e Prishtinës me 5 milionë euro, Komisioni Evropian me 5 milionë euro, Qeveria e Kosovës me 5 milionë euro dhe 20 milionë KRU “Prishtina” kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim me ç’rast, garantuese e kthimit të saj është Qeveria e Kosovës.

Ky projekt vlerësohet se do të rrisë sasitë e ujit, ku faza e parë do jetë 700 l/s me mundësi të rritjes së kapaciteteve edhe me 500 l/s të tjera. Projekti përmban komponentët: Ndërtimi i Fabrikës së re të ujit në Shkabaj dhe ndërtimi i rrjetit të ri dhe stacionit të pompimit, që mundësojnë kyçjen e fabrikës së re të ujit në kanalin e Ibrit dhe në rrjetin tjetër ekzistues.

Të ngjashme