Përurohet rruga Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë, Kurti: Kjo rrugë e ka moshën gati të shpalljes së pavarësisë

Prishtinë | 20 Dhj 2024 | 08:51 | Nga Gzim Mujaj

Në mëngjesin e së premtes, është përuruar rruga Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë, segmenti Stanovc, në hyrje të Vushtrrisë, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur një projekt të rëndësishëm për lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe ekonominë e vendit.

Kurti tha se kjo rrugë kishte nisur së ndërtuari që në vitin 2009, që siç u shpreh ai, ka moshën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Rruga Prishtinë-Mitrovicë po bëhet, ka nisur në vitin 2009, që do të thotë e ka pothuajse moshën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Është dashur që të ndërrohet operatori ekonomik në mënyrë që të ecë puna”.

“Ky segment është nënshkruar në fund të shkurtit, si kontrata dhe për 10 muaj po e përurojmë në një gjatësi afër 5 kilometra e gjysmë. Kanë ngelur edhe një pjesë tjetër shumë e rëndësishme e cila është rreth 5 kilometra, e cila do të kushtojë 15 milionë euro. Punimet janë kryer me përpikëri, me drejtësi edhe shpronësimet, edhe rregullimi i trotuareve, edhe drenazha, edhe gypat e ujësjellësit edhe kanalizimit”, tha Kurti

Ministri Liburn Aliu tha se segmenti nga Stanovci deri në hyrje të Vushtrrisë prej 5.5 kilometrash do të vazhdojë.

“Bëhet fjalë për segmentin nga Stanovci deri në hyrje të Vushtrrisë, 5.5 kilometra dhe do të vazhdojë. Është nënshkruar marrëveshja me fondin Opek për vazhdimin nga Smekronica deri në Mitrovicë. Duhet gjithashtu cekur që pavarësisht situatave edhe përpjekje tona për të vazhduar me operatorin e vjetër pas një auditimi që është bërë jemi detyruar që ta shkëpusim kontratën”, tha ai.

Zv.ministri Hysen Durmishi tha se tani më pak se 10 muaj, ka përfunduar ky segment shumë i rëndësishëm, sepse nuk është vetëm rrugë për Mitrovicën dhe Vushtrrinë, por për gjithë Kosovën.

“Ne e kemi gjetur një kontratë të nënshkruar për ndërtimin e kësaj rruge dhe për dy vite deri më vitin 2023 janë realizuar punime vetëm 20 %. Jemi detyruar që të shkëpusim atë kontratë për shkak të një auditimi që është bërë dhe janë konstatuar shumë shkelje të cilat janë bërë dhe operatori ekonomik që nuk e ka respektuar marrëveshjen me Ministrinë. Tani më pak se 10 muaj ne e kemi përfunduar këtë segment shumë të rëndësishëm, sepse kjo nuk është vetëm rrugë për Mitrovicën dhe Vushtrrinë, por për gjithë Kosovën”, tha Durmishi.

Të ngjashme