Nxënësit, mësuesit dhe banorët e fshatit Pantinë të Vushtrrisë sot i janë gëzuar ndërtimit të objektit të ri shkollor. Përurimi i kësaj shkolle jo vetëm që ka përkuar me Vitin e Skënderbeut, por ajo është bërë pikërisht në përvjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
E këtë ditë gëzimi me ta e kanë ndarë mes tjerash edhe kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, me nënkryetarin Besim Muzaqi dhe drejtorin e arsimit, Afrim Namani, të cilët kanë uruar nxënësit mësimdhënësit dhe banorët e Pantinës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Ndërtimin e kësaj shkolle, Tahiri e ka quajtur fat të madh për nxënësit dhe mësimdhënësit e fshatit Pantinë. Ai ka thënë se Vushtrria por edhe shteti i Kosovës mund të zhvillohet vetëm me edukim cilësor, për të cilën gjë tha se është edhe prioritet i komunës.
“Arsimin do ta kemi prioritet kryesor, jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës por edhe në ngritjen e cilësisë dhe punës që bëhet në shkolla. Prandaj ju bëj thirrje juve prindër që bisedoni me nxënës se çfarë dhe si po mësojnë fëmijët e tyre, dhe çfarëdo ankese që keni flisni me drejtuesit e shkollës, por edhe me Drejtorinë komunale të arsimit”, ka thënë Tahiri.
Nga ky përurim Xhafer Tahiri, ka paralajmëruar ndërtimin edhe të dy shkollave, njërën në Bequk e tjetrën në Stanoc të Epërm.
Bashkë me dy shkolla tjera, atë në Maxhunaj dhe Druar, kjo shkollë është ndërtuar përmes një projekti tre vjeçar të financuar me mjete nga të hyrat vetjake të Komunës së Vushtrrisë.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Afërdita Beka Aliu thotë se deri më tani ata janë përballur me kushte shumë të vështira të punës, ndërsa tani me objektin e ri shkollor janë krijuar kushte shumë më të mira të punës me 13 klasë mësimi, 4 kabinete të shkencave të natyrës por edhe me bibliotekë.