Drejtuesit e Prokurorisë dhe të Policisë për rajonin e Prizrenit, të martën, kanë bërë të ditur se nga viti 2016 e deri sot pranë këtyre organeve të zbatimit të ligjit janë paraqitur 5 raste të ngacmimeve apo sulmeve seksuale.
Për këtë arsye kanë shprehur habinë lidhur me të dhënat e prezantuara ditëve të fundit nga grupi i grave dhe vajzave “FEMaktiv”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Njëkohësisht kanë shprehur qëndrimin se siguria në Prizren dhe hapësirat publike të tij është në nivelin e duhur.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, ka pohuar se ky organ dhe policia janë informuar nga mediat rreth statistikave të prezantuara nga “FEMaktiv”, ku flitet për përqindje të lartë të vajzave e grave që nuk ndihen të sigurta në hapësirat publike dhe që janë ngacmuar gjatë shfrytëzimit të këtyre hapësirave.
“Ky raport na ka shqetësuar si institucione përgjegjëse për zbatimin e ligjit”, ka thënë Shala, duke shtuar se këto organe nuk e dinë se si është arritur te këto statistika, pasi përqindja e rasteve është shumë e lartë. “Ne e dimë se në Prizren siguria është në nivel, njëjtë edhe siguria në vendet publike është në nivel të duhur”, ka deklaruar Shala.