Ish-kryeministri Avdullah Hoti tani deputet në Kuvendin e Kosovës ka folur për vizitën e pesë emisarëve që kanë ardhur në Prishtinë për bisedime rreth planit franko gjerman.
Hoti ka shkruar se sot, është një ditë e rëndësishme që së bashku me aleatët, të definohen hapat në procesin e dialogut për marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, që ruan karakterin unitar të shtetit të Kosovës, që i adreson të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve një herë e përgjithmonë në mënyrë që dy vendet të rrugëtojnë drejt integrimit evropian” ka shkruar ish Kryeministri.
Hoti shpreson që Qeveria dhe ekipi negociator kanë përgatitur planin e tyre dhe propozimet për emisarët për dialog që sot janë në Prishtinë. Pastaj ka një këshillë për ta
“Mbahuni fuqishëm në parimet që duhet të respektohen në negocimin e marrëveshjes. Mos bëni kompromis në qëllimet e dialogut, por gjeni modalitetet e nevojshme për arritjen e marrëveshjes. Koordinohuni me aleatët tanë!” ka theksuar ai.