Mbrëmë është mbyllur zyrtarisht afati për të dorëzuar kandidaturat për kryetar të Partisë Demokratike në zgjedhjet që do të zhvillohen më 22 korrik përmes parimit një anëtar, një votë.
Lulzim Bashën në garën për një mandat të dytë në krye të PD, siç raporton sot Shqiptarja, do ta sfidojnë 4 kandidatë, të cilët janë ish-kreu i PD-së, Eduard Selami, ish-kreu i grupit parlamentar Astrit Patozi, dhe dy anëtarët Astrit Sinanaj dhe Erion Piciri.
Pavarësisht se në garë janë 5 emra, ‘lufta’ pritet që të zhvillohet vetëm brenda tre kandidaturave, Bashës, Selamit dhe Patozit.
Megjithatë ende pa nisur fushata në degët e PD në rrethe dhe analiza për humbjen e thellë në zgjedhjet e 25 qershorit, përplasjet brenda së djathtës filluan që pas vendimit të Bashës për të ngrirë funksionet.
Grupi anti tij në PD ka pasur disa deklarata kundër duke kërkuar me cdo kusht dorëheqjen nga drejtimi i partisë dhe jo ngrirjen e funksioneve, madje njëri nga kandidatët, Astrit Patozi kërkoi edhe largimin e tij së bashku me stafin nga zyrat e partisë.
Sipas Patozit gara duhet të jetë e barabarta dhe e tillë mund të bëhet vetëm nëse Basha jep dorëheqjen nga të gjitha funksionet.
Por Basha u shpreh se i delegoi drejtimin e partisë, dy nënkryetarëve Edmond Spaho dhe Edi Paloka, si dhe sekretarit të përgjithshëm Arben Ristani, ndërsa ky i fundit pak ditë më parë publikisht deklaroi se statuti u shkel në përcaktimin e datës së zgjedhjeve.
Ai deklaroi se data e zgjedhjeve duhet ta përcaktohet nga Kryesia e PD dhe jo nga dy nënkryetarët.
Megjithatë mbrëmë përfundoi afati i parë, ai i dorëzimit të kandidaturave duke e futur zyrtarisht PD në fushatë për zgjedhjen e drejtuesit të ri.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse grupi ‘rebel’ në PD do të mbështesë Selamin apo Patozin në garën kundër Bashës për zgjedhjet e 22 korrikut, që nga të gjithë kërkohet që të shtyhen, por Basha është i vendosur që gjithçka të përfundojë brenda këtij muaji.