Pesë komunave të rajonit të Prizrenit gjatë vitit 2017 i janë marrë afro 950 mijë euro për kryerjen e pagesave sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore.
Më së shumti mjete i janë marrë Komunës së Prizrenit, pastaj Suharekës, Malishevës, Rahovecit dhe Dragashit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndërsa Komuna e Mamushës nuk është pjesë e listës për pagesat e kësaj natyre.
Raporti për pagesat sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore të komunave është konsoliduar nga pasqyrat financiare individuale të tyre, që janë përcjellë në Ministrinë e Financave, e cila i ka shpalosur këto të dhëna në kuadër të raportit financiar për vitin 2017.
Në raportin vjetor financiar të MF-së, figuron se Komunës së Prizrenit i janë tërhequr afro 555 mijë euro për kryerjen e pagesave sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore.
Shuma e pagesave sipas këtyre vendimeve për Komunën e Suharekës është afro 233 mijë euro. Ndërsa për Komunën e Malishevës kjo shumë arrin në më shumë se 102 mijë euro.
Te Komuna e Rahovecit shifra e pagesave të kësaj natyre është 43 mijë euro, derisa te Komuna e Dragashit është afro 15 mijë sosh..