Pesë ministra, Martin Berishaj e Nagip Krasniqi – Pse u shkarkua shefi në Polici që po i hetonte zyrtarët e pushtetit?

Prishtinë | 16 Kor 2023 | 10:17 | Nga Ekonomia Online

Shemsi Haziri, shefi i task-forcës Anti-Korrupsion në Policinë e Kosovës u shkarkua ditë më parë. Fillimisht u tha se ai po hetonte ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, e kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi. Por, kjo nuk ishte e vetmja.

Betimi për Drejtësi në një emision mbrëmë ka bërë të ditur se Task-Forca Anti-Korrupsion e Policisë së Kosovës po heton pesë ministra, një zv/ministër, ambasadorin Berishaj e kryeshefin e KEK-ut.

Kjo ka shtuar dyshimet se pushteti e shkarkoi shefin e task-forcës, Shemsi Haziri, me direktiva.

Raportimi i Betimi për Drejtësi:

Task Forca Anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë së Albin Kurtit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati po hetohet në lidhje me rastin e dëmtimit të mësimdhënësve, të cilëve dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ua kishte ndalur pagat gjatë kohës së grevës.

Për këtë rast, ishte bërë kallëzim penal, të cilin Task Forca po e heton. Ministri Murati është ftuar nga Task Forca që të intervistohet në hetuesi në cilësinë të të dyshuarit, por ai ka refuzuar, duke kërkuar që të intervistohet në zyre të tij. Hetuesit e Task Forcës nuk e kanë pranuar kërkesën e Muratit.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është ministrja tjetër që po hetohet nga Task Forca e policisë, së bashku me zëvendësministren Liza Gashi dyshohen për dhënien e 1 milion e 40 mijë eurove për “Caritasin Zviceran”, ku kjo e fundit, ka angazhuar për kryerjen e shërbimeve OJQ-në Germin, në të cilën Liza kishte qenë drejtoresh para se të bëhej zëvendësministre. Deri tash i janë paguar “Caritasit 344 mijë euro.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një rast që po hetohet nga Task Forca, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për shkak se dyshohet se në një rast ku në mënyrë të kundërligjshme rreth 300 mijë euro janë shpenzuar për projekte për minoritetet.

Ministrja e Ekonomisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, është ministrja e radhës që po hetohet nga Task Forca, nën dyshimin se keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak të keqpërdorimit të rezerave shtetërore, përkatësisht në lidhje me blerjen e miellit dhe vajit, për të cilat është dëmtuar buxheti i shtetit.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku së bashku me disa zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj ministie, është intervistuar nga Task Forca, nën dyshimin se kjo ministri ka dhënë një kontrate për konsulencë mbi 130 mijë euro, ku konsulenti i angazhuar si arkitekt vendor, paguhet 5 mijë e 550 euro në muaj.

As Ministria e Infrastrakturës e udhëhequr nga Liburn Aliu nuk ka mbetur pa u hetuar nga Task Forca antikorrupsion. Në këtë ministri po hetohet zëvendës ministri Hysen Durmishi, në lidhje me tenderin e tiketave, për të cilin pas nënshkrimit, ishte zbrapsur.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berisha, ishte një ndër personat të cilët po i hetonte kjo Task Forcë.

Task Forca Anti-korrupsion e Majorit Shemsi Haziri e kishte inicuar vetë rastin ndaj Berishajt, të cilit edhe i kanë ngritur kallëzim penal nën dyshimin për shmangie tatimi, më pas hetimit janë zgjeruar edhe për shpërlarje të parave.

Hetimet për rastin Berisha janë në proces. Deri më tash hetuesia ka bërë disa vizita në disa shtete për hetimin e këtij rasti.

Në hetimin e këtij rasti janë të përfshira shtetet si Kosova, Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi dhe Sllovenia. Me të gjitha këto shtete, pikë e vetme kontakti me policinë për këtë rast ishte shefi i Task Forcës, Shemsi Haziri. Deri më tash dihet se Martin Berishaj ka pranuar mbi 1.5 milion euro në bankën NLB nga kompania GEN me seli në Beograd dhe dy ditë më pas i ka tërhequr kesh këto para.

Gjithashtu, Martin Berishaj në llogarinë e tij në Mal të Zi, dihet se ka pranuar mbi 600 mijë euro nga GEN me seli në Beograd. Ndërsa, në këtë llogari në Mal të Zi, ka pranuar edhe miliona të tjera, por nga burime të tjera, të cilat ende nuk dihen nga saktësisht.

Rast tjetër, i cili ka lëvizur tërë Qeverinë dhe mazhorancën e Kuvendit është arrestimi i Kryeshefit të KEK-ut, Ragip Krasniqi. Edhe për këtë të fundit, rasti ishte inicuar vetë nga Task Forca antikorrupsion, të cilët Krasniqin e kanë e kanë intervistuar në prill 2022, nën dyshimin se kishte lidhje me Martin Berishajn, të cilët dyshoheshin se ishin takuar në një vizitë në Kroaci, së bashku me disa kompani që merreshin me shit-blerjen e energjisë.

Takimi Sveçla-Haziri

Pas heshtjes së gjatë të krerëve të institucioneve, të cilët kanë injoruar letrën e Shemsi Hazirit, më në fund, kishte ardhur një reagim nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla. Ky i fundit, kishte thirrur në një takim maratonik nga disa zyrtarë nga drejtoria e hetimeve si dhe shefin e Task Forcës, Shemsi Hazirin. Takimi ishte mbajtur në Blinajë më 3 mars 2023 dhe kishte zgjatur 12 orë.

Burime të “Betimit për Drejtësi” brenda këtij takimit kanë konfirmuar se ministri Sveçla, i kishte thënë Shemsi Hazirit se pse e ka ngritur me shpejtësi kallëzimin penal kundër Martin Berishajt.

Haziri i ka thanë se ky rast ka qenë i argumentuar me prova për shmangie nga tatimi. Tutje, Sveçla i ka thënë atij se nëse kanë prova se “edhe kjo qeveri është e korruptuar, le të ngrisin raste edhe ndaj tyre”.

Haziri ju ka përgjigjur se PO, janë duke i hetuar edhe disa raste të kësaj qeverie, por nuk i ka përmendur emra.

Të ngjashme