Sistemi VAR është përdorur për herë të parë në botërorin “Rusia 2018” dhe rezultatet në përgjithësi kanë qenë pozitive, ndonëse ishte pritur me skepticizëm.
Pothuajse, të gjithë janë ndarë të kënaqur me asistimin e VAR-it, i cili ka hequr shumë dilema sa u përket vendimeve të arbitrave në fushë. Pas konsultimit të sistemit VAR janë anuluar shumë penallti apo janë akorduar, por janë pesë momente për të cilat VAR-i do të kujtohet si diçka e mirë për futbollin.
Franca – Australia 2:1 (16 qershor)
Kjo ishte ndeshja e parë në kuadër të Grupit C, në të cilën për herë të parë VAR-i u përdor për t’u dhënë një penallti. Sulmuesi francez Antoine Griezmann po shkonte drejt portës kundërshtare përpara se të rrëzohej në zonë pas kontaktit që pati me australianin Josh Risdo. Arbitri Andres Cunha fillimisht dha shenjë që të vazhdonte loja, por pastaj e ndaloi pas sinjalizimit që mori nga asistentët në dhomën e VAR-it. Ai shkoi te monitori për të shikuar xhirimin përpara se të akordonte penallti për Francën, të cilën e realizoi vetë Griezmann.
Brazili – Kosta-Rika 2:0 (22 qershor)
Kishin mbetur edhe 12 minuta lojë deri në fund të kohës së rregullt dhe nuk kishte gola në këtë ndeshje të Grupit E. Sulmuesi i Brazilit, Neymar, u rrëzua në zonë pas një dueli me mbrojtësin Giancarlo Gonzalez që mjaftoi për të bindur arbitrin Bjorn Kuipers për të treguar në pikën e bardhë. Intervenimi i VAR-it, ishte i menjëhershëm dhe arbitri pasi shikoi xhirimet në monitor tërhoqi vendimin e tij.