Pesë të vdekur e më shumë se 175 të plagosur në protestat në Irak

Prishtinë | 27 Shk 2021 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Të paktën pesë protestues janë vrarë dhe më shumë se 175 kanë mbetur të plagosur të premten gjatë një përleshjeje ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë në qytetin jugor të Irakut, Nassiriya.

Shumica e viktimave kanë vdekur nga plagët e plumbave.

Protestat kanë vazhduar të premten mbrëma, pas një jave dhune që shpërtheu të dielën kur forcat e sigurisë gjuajtën me armë zjarri për t’i shpërndarë protestuesit të cilët po përpiqeshin të sulmonin ndërtesën e qeverisë provinciale duke përdorur gurë dhe kokteje molotovi, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Protestuesit thuhet se po kërkojnë largimin e Qeverisë dhe drejtësi për protestuesit që u vranë që nga viti 2019.

Protestat më të mëdha anti-qeveritare në Irak në dhjetë vitet e fundit, shpërthyen në tetor të vitit 2019 dhe vazhduan me muaj të tërë, me qindra-mijëra irakianë të cilët po kërkojnë punë, shërbime dhe heqjen e elitave qeverisëse të cilat po akuzohen për korrupsion.

Deri më tani, që nga atëherë afro 500 persona kanë mbetur të vrarë ndërkohë që protestat kanë shkaktuar dorëheqjen e kryeministrit Adel Abdul Mahdi.

Kryeministri i ri Mustafa al-Kadhimi i cili e mori pozitën në maj të vitit 2020, ka premtuar drejtësi për aktivistët e vrarë ose të abuzuar nga grupe të armatosura. Por asnjë ndjekje penale nuk ka ndodhur deri më tani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme