Sot Bayern Munich doli zyrtarisht kundër Superligës Evropiane, me shefin e bordit ekzekutiv, Karl-Heinz Rummenigge që u zgjodh në bordin e UEFA-s.
Por, pesë vite më herë ishte pikërisht Rummenigge që ringjallte idenë e krijimit të kësaj Superlige Evropiane, shkruan Gazeta Express.
“Kryetari i Bayern Munchen Karl-Heinz Rummenigge ringriti idenë e krijimit të një “kampionati evropian” me 20 nga klubet kryesore të kontinentit” – ishin shkrimet në media atëkohë.
“Ju nuk mund të përjashtoni që, në të ardhmen, ne të mund të krijonim një ligë Evropiane me klubet kryesore nga Italia, Gjermania, Anglia, Spanja dhe Franca, nën kujdesin e UEFA-s ose një organizate private. Do të ishte një kompeticion me 20 ekipe dhe mbase do të luanim disa ndeshje në Amerikë dhe Azi,” tha Rummenigge.
Sipas Rummenigges, “skuadrat më të mira po bëhen gjithnjë e më të forta në raport me të tjerët në ligat kryesore dhe një kampionat tjetër në fakt tashmë po lind përtej Ligës së Kampionëve”.
Atëbotë Rummenigge mori mbështetjen e presidentit të Juventusit, Andrea Agnelli, vetë një anëtar i ECA, i cili pretendoi se përfitimet financiare të Champions League ishin të pamjaftueshme.