Pesëshja perëndimore vijnë në Prishtinë dhe Beograd për të bërë përparim të prekshëm

Prishtinë | 19 Tet 2023 | 14:40 | Nga Ekonomia Online


Të dërguarit e BE-së dhe SHBA, si dhe këshilltarët e sigurisë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, do të vijnë në Prishtinë dhe Beograd të shtunën me qëllim të bërjes së përparimit të prekshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe uljen e tensioneve, veçanërisht pas ngjarjet në Banjskë në veri të Kosovës, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano.

Stano ka thënë për Beta-n se Miroslav Lajcak, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e sigurisë së presidentit të Francës, kancelarit gjerman dhe kryeministres së Italisë, Emmanuel Bon, Jens Pletner dhe Francesco Talo, do të shkojnë në bisedime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq me pritshmëri të qarta se të dyja palët do të vazhdojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe do të zbatojnë detyrimet e tyre pa vonesë dhe pa kushte.

Burimet diplomatike evropiane kanë thënë për këtë agjenci se zyrtarë të lartë të vendeve kryesore perëndimore po shkojnë në Prishtinë dhe Beograd me kërkesë që të ndalet përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë, dhe që Beogradi, duhet të dëshmojë se “nuk ka qenë i përfshirë” në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në ngjarjet në Banjskë, transmeton Paparaci.

Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell ka thënë se autoritetet serbe duhet të bëjnë gjithçka për të zbardhur prapavijën, autorët dhe organizatorët e dhunës në Banjskë të 24 shtatorit.

Vuçiq duhet që këtë ta bëjë shpejt, sepse nuk ka durim të pafund në Bashkimin Evropian dhe disa masa tashmë po diskutohen në qarqet evropiane në rast se Beogradi nuk e bën atë që pritet, kanë thënë burime diplomatike evropiane.

Kur u pyetën nëse Beogradi tani po bashkëpunon në hetimin e asaj që ndodhi në Banjskë, këta zyrtarë u përgjigjën se nuk bëhet fjalë për hetim gjyqësor-policor, por për përpjekje të forta për të marrë fakte të pakontestueshme nga të gjitha anët.

Sepse, sipas tij, Prishtina dhe Beogradi duhet të kenë parasysh se Bashkimi Evropian, anëtarët e tij dhe SHBA vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të fuqishme për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ardhmes evropiane të gjithë rajonit.

Diplomatët në selinë e BE-së theksuan gjithashtu se pesë zyrtarët e lartë perëndimorë do të kërkojnë nga kryeministri i Kosovës Kurti që të organizojë sa më parë zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës, dhe se mënyra më e lehtë të jetë dorëheqja e kryetarëve aktualë dhe pa kushte, dhe të pranojë themelimin e Asociacionit./Paparaci.com

Të ngjashme