Një peshkatar 27-vjeçar është sulmuar nga një peshkaqen në ujërat pranë County Waterford, në juglindje të Irlandës.
Sebastian Achim ishte pjesë e një ekipi prej pesë personash, rreth katër milje larg Ram Head, pranë Ardmore, kur peshkaqeni, pasi ishte nxjerrë në kuvertën e anijes, iu hodh dhe e kafshoi në pulpë.
“Prita se nuk do të shpëtoja”, rrëfeu Achim, duke treguar se kafshimi i shkaktoi një plagë të thellë deri në kockë dhe gjakderdhje të menjëhershme, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.
Sipas autoriteteve, bëhej fjalë për një peshkaqen blu, një specie që shfaqet shpesh në ujërat e Irlandës dhe Britanisë gjatë verës dhe vjeshtës. Kjo specie zakonisht nuk konsiderohet e rrezikshme për notarët.
Pas incidentit, peshkatari mori ndihmën e parë në bord dhe u evakuua me helikopter të Rojës Bregdetare të Irlandës drejt Spitalit Universitar të Cork-ut.
Achim tha se ndërhyrja e ekipit të shpëtimit ishte vendimtare për mbijetesën e tij.