Petkoviq: Beogradi i përkushtuar në dialog, deklarata e Haradinaj-Stubllës është absurde

Prishtinë | 25 Dhj 2020 | 21:37 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë Beogradi është vazhdimisht i përkushtuar në dialogun me Prishtinën. Ky reagim i tij vjen pas deklaratës së Meliza Haradinaj, ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila ka thënë se Serbia me qëndrimet e veta ndaj Kosovës e ka përjashtuar veten nga procesi i dialogut.

Petkoviq para mediave serbe e ka quajtur si absurde deklaratën e Haradinaj-Stubllës duke thënë se pala serbe nuk kishte vendosur kurrë pengesa në dialogun Kosovë-Serbi.

“Shumë herë, ndryshe nga Prishtina, ne e kemi konfirmuar besueshmërinë tonë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve. Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës është mbajtur peng për vite me radhë nga krizat politike në Kosovë, veprimeve të njëanshme anticivilizuese të krerëve të politikës të shqiptare, si dhe faktit se Prishtina nuk është duke përmbushur obligimet për të cilat është zotuar në procesin e dialogut”

Petkoviq ka deklaruar se Kosova nuk është duke lejuar formimin e “Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

“Prishtina ka përdorur metoda paralegale për më shumë se shtatë vjet e gjysmë për ta parandaluar formimin e “Asociacionit të Komunave Serbe”, ekzistenca e të cilit është një parakusht për zbatimin e disa marrëveshjeve të tjera”.

“Gjithashtu, përfaqësuesit politikë të Prishtinës vazhdimisht e provokojnë situatën në dialog me deklarata provokuese dhe të paekuilibruara në lidhje me pritjet e tyre nga normalizimi i marrëdhënieve” ka thënë Petkoviq, shkruan Kosovonline.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme