Petkoviqi reagon pas situatës në Zubin Potok: Kurti po tenton t’i mbajë dhunshëm zgjedhjet në veri

Prishtinë | 06 Dhj 2022 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Shefi i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pas zhvillimeve në veri të Kosovës.

Petkoviqi ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po tenton që me dhunë të mbajë zgjedhjet në veri, transmeton Zeri.info.

“Albin Kurti sot dërgoi policinë në objektin e Komunës së Zubin Potokut në veri të Kosovës dhe Metohisë për të tentuar dhunshëm të përgatisin terrenin për mbajtjen e zgjedhjeve të tij ilegale. Ky është demonstrimi më brutal i forcës dhe provokimi i tensioneve dhe provokimeve të reja nga Prishtina, e cila po përpiqet të zbatojë masat e saj të paligjshme dhe të njëanshme me dhunë dhe veprime të njëanshme dhe të provokojë një destabilizim të ri të mundësive mbi budallallëqe”, ka deklaruar Petkoviqi.

Sipas tij, e gjitha kjo po ndodh derisa në Tiranë po mbahet Samiti BE-Ballkan Perëndimor, pasi sipas tij gjatë samitit në Berlin Kurti bëri thirrje për prishjen e marrëveshjes së Brukselit dhe arrestimin e Nenad Gjuriqit.

“Kështu duket e ashtuquajtura demokraci dhe shtet i së drejtës nga Albin Kurti – ndërsa serbëve u ndalon të marrin pjesë në zgjedhje dhe referendum, në të njëjtën kohë ai përpiqet t’i zhvillojë zgjedhjet e tij në veri të krahinës me pushkë dhe dhunë. Është e qartë se qëllimi i Kurtit është që me dhunë dhe armë të kapërcejë katër komuna serbe në veri të Kosovës dhe Metohisë dhe të vendosë përfaqësues shqiptarë në to në zgjedhje të paligjshme”, shtoi ai.


Ai në fund u bëri thirrje serbëve që të qëndrojnë të qetë dhe të mos “bien në provokime që kanë qëllim të shkaktojnë konflikt dhe krizë në veri të Kosovës”.

Të ngjashme