“Pfizer” dhe “Moderna” po testojnë vaksinat kundër versionit të ri të koronavirusit që po shpërndahet shpejt në Britaninë e Madhe.
“Moderna” pret të dëshmohet imunitet nga vaksina e saj kundër varianteve të ndryshme. Kompania farmaceutike do të kryejë teste të reja gjatë javëve të ardhshme për ta konfirmuar këtë gjë.
“BioNTech”, partnere e kompanisë “Pfizer”, ka shprehur bindjen se vaksina do të jetë funksionale edhe kundër variantit të ri të virusit. Shtetet anembanë botës ia kanë mbyllur kufijtë Britanisë së Madhe nga frika e versionit të ri, jashtëzakonisht infektues të koronavirusit.
Zhvillimi i ri i pandemisë ka shkaktuar kaos dhe ka ngjallur frikën se shteti ishullor do të ngelet pa ushqim të mjaftueshëm. Varianti nuk është i pari version i ri i virusit të pandemisë, por shqetësim ka ngritur fakti se ka shkallë 70 për qind më të lartë të bartjes sesa forma e mëhershme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkohë kanë aprovuar pakon e rimëkëmbjes nga pandemia, në vlerë prej 892 miliardë dollarësh amerikanë, duke ndarë fonde edhe për aktivitete qeveritare federale deri në shtator të vitit të ardhshëm. Liderët amerikanë dhe ata evropianë kanë kërkuar nga kompanitë që të dëshmojnë efikasitetin e vaksinave edhe kundër versionit të ri. Kjo në kohën kur BE-ja po përgatitet për të nisur vaksinimin, javën e fundit të dhjetorit.
Ndërkaq Serbia është bërë shteti i vetëm i Ballkanit që ka siguruar të martën dozat e para të vaksinës së “Pfizerit”.
Me 4.800 dozat, vendi parasheh nisjen e vaksinimit gjatë ditëve në vijim.