Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka thënë se skuadra e tij duhet të bëjë çdo gjë të mundur nëse dëshiron të ruajë titullin e La Ligas spanjolle. Barcelona të premten mbrëma barazoi pa gola me Sevillan dhe kështu ia ka dhënë mundësinë Real Madridit të marr kreun me fitore eventuale këtë fundjavë.
“Duke parë si kanë shkuar ndeshjet deri më tani, do të jetë shumë vështirë për ne që të fitojmë ligën”, ka thënë Pique pas barazimit, që i dha fund serisë së Barcelonës prej dy fitoreve që nga rifillimi i edicionit.
“Barazimi na lë në pozitë ku më gjërat nuk varen vetëm nga ne. Duke parë orarin është vështirë të imagjinohet Real Madridi duke lëshuar pikë. Por ne do të japim çdo gjë për të provuar që të fitojmë titullin”.
Reali është tri pikë prapa Barcelonës dhe nëse fiton ndaj Real Sociedadit të dielën, do të kalojë skuadrën katalunase në krye të tabelës për shkak të bilancit superior në ndeshjet e ndërsjella.
Skuadra e Zinedine Zidane ka fituar 3:0 ndaj Valencias të enjten, falë paraqitjes impresive në pjesën e dytë. Kishte fituar 3:1 ndaj Eibarit në ndeshjen e parë pas rifillimit. Pushimi i gjatë ka mundësuar që Eden Hazard dhe Marco Asensio të kthehen nga lëndimet.
Barcelona e mposhti Real Mallorcan në rikthim, ndërsa luftoi shumë për fitoren 2:0 ndaj Leganesit. Skuadra është dukur e ngadaltë në momente në të dy ndeshjet.
Sipas Piques, Barcelona e ka merituar fitoren ndaj Sevillas së vendit të tretë.
“Ishte ndeshje shumë garuese dhe ne nuk kemi luajtur keq. Duket se kemi humbur dy pikë pasi kemi pasur më shumë raste se ata dhe ata janë dukur të lodhur në fund. Por Sevilla është në vend të tretë, është top-skuadër kështu që nuk duhet të jemi të befasuar që ishte vështirë”.
Trajneri i Barcelonës, Quique Setien ka thënë se është optimist se edhe Reali do të lëshoj pikë.
“Mendoj se fjalët e Piques kanë ardhur nga frustrimi. Jam i sigurt se ai do të mendojë ndryshe nesër. Jam i sigurt se Real Madridi nuk do të fitoj të gjitha ndeshjet. Tani nuk varet çdo gjë nga ne, por ne duhet të jemi optimist”, ka thënë Setien.