Pjetër Shalës i vazhdohet masa e paraburgimit

Prishtinë | 08 Shk 2023 | 10:13 | Nga Ekonomia Online

Trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka marrë vendim, me anë të së cilit, Pjetër Shalës ia ka vazhduar masën e paraburgimit.

Trupi gjykues ka arritur në konkludim se ekzistojnë arsye që rreziku i pengimit të ecurisë së procedurave të Dhomave të Specializuara dhe rreziku i kryerjes së krimeve të mëtejshme, vazhdon të ekzistojë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme