Pronarët e një shtëpie në New Mexico u befasuan dy herë në fundjavë. Së pari, ata gjetën një plaçkitës brenda shtëpisë, i armatosur me armë të gjatë “AR-15”. Më pas, ata u befasuan përsëri, kur ai u kërkoi falje, u dha para dhe u largua i turpëruar.
Burri kishte fjetur, ishte pastruar dhe kishte ngrënë ushqim e kishte pirë birrë në shtëpinë që ndodhet në periferi të qytetit Santa Fe para se pronarët të ktheheshin dhe ta gjenin atë aty, sipas raportit policor të cituar nga “Albuquerque Journal”.
Ai kishte një armë të tipit “AR-15”, por nuk i kërcënoi pronarët dhe nuk mori asgjë nga stolitë apo gjëra të tjera. Në vend të kësaj, ai u dha pronarëve 200 dollarë si “rimbursim për dritaren që e theu”, thuhet në raport.
I dyshuari, rreth 1 metër e 80 centimetra i gjatë dhe rreth të njëzetave, ndau me ta një pjesë të rrëfimit të tij, duke u thënë se është duke ikur nga dikush dhe se familja e tij është vrarë në Teksasin lindor, sipas raportit. Ai gjithashtu tha se vetura i ishte prishur afër qytetit Santa Fe.
Pronarët u thanë autoriteteve se burri ishte “tepër i turpëruar dhe i penduar për situatën”, thuhet më tej në raport.
I dyshuari u largua nga shtëpia me një çantë dhe me armën e vet, duke ecur poshtë një hendeku. Në raport thuhet se dyshohet që vjedhjet e tij ta kenë vlerën e përgjithshme prej 15 dollarëve.
Zyrtarët policorë shkuan në shtëpinë ku ndodhi ngjarja e pazakontë dhe kërkuan në hendek, por nuk gjetën askënd.