Beogradi alarmon, si dikur, për ‘plaçkitje e sulme’ ndaj serbëve në Kosovë

Prishtinë | 08 Qer 2018 | 10:00 | Nga

Dy net më parë në territorin e Graçanicës kanë ndodhur 12 plaçkitje, ndërsa janë thyer disa automjete, një restorant, si dhe shtëpi në disa lokacione të qytetit. Kështu raporton RTS, duke cituar kryetarin e komunës, Sergjan Popoviqin, i cili sipas këtij burimi ka pohuar t’i jetë thyer vetura edhe atij, transmeton Koha.net.

Raportimet aktuale në mediat e Beogradit për “dhunën” ndaj serbëve nga shqiptarët të kujtojnë fushatën për demonizimin e shqiptarëve në vitet e tetëdhjeta e më vonë, deri me hyrjen e forcave të NATO-s. Në këtë frymë raportohet se “me qëllim të avancimit të sigurisë për nxënësit nëpër shkolla”, siç thuhet, “në mbledhjen e kryetarit të Graçanicës me drejtorët e shkollave dhe përfaqësuesit e strukturave të sigurisë është vendosur që deri në fund të vitit shkollor të rritet prania e policisë para institucioneve arsimore”.

“Pas incidentit në shkollën e Suvidollit dhe serisë së plaçkitjeve në Graçanicë, me iniciativën e kryetarit të Graçanicës, Sergjan Popoviqit është mbajtur mbledhja e përbashkët me drejtortë e shkollave dhe të institucioneve parashkollore, përfaqësuesit e policisë, të KFOR-it dhe të OSBE-së, me qëllim të caktimit të përparësive dhe të aktiviteteve parandaluese për avancimin e sigurisë, para së gjithash në shkolla”, raporton RTS.

“Me qëllim të ngritjes në shkallë më të lartë të nivelit të sigurisë është vendosur që në territorin e komunës së Graçanicës të rritet prania e policisë. Është vendosur që të rriten patrullimet policore në katër pika në komunën e Graçanicës, para shkoll[ave në Uglar, Suhodoll, Skullanevë dhe Llaplesellë. Sipas planit prania e policisë do të rrittet gjatë kohës kur frekuenca e fëmijëve në shkolla është më e madhe”, citohet Popoviq.

Raportohet se kryetari i komunës së Graçanicës, “duke folur për serinë e plaçkitjeve në Graçanicë është shprehur se qytetarët janë shumë të shqetësuar, prandaj në koordinim me policinë dhe KFOR-in dhe pas bisedimeve me qytetarët e dëmtuar, do të merren masa përkatëse”.

Në bisedë me qytetarët, sipas raportimeve, kryetari Popoviq ka thënë se “është më shumë se e qartë se bëhet fjalë për një seri të organizuar plaçkitjesh dhe banditizmit dhe se qytetarët me të drejtë janë të shqetësuar për sigurinë e familjeve të veta dhe të pasurive të tyre”.

Pa e përmendur se kush është shprehur kështu, RTS përfundon raportimin nga Graçanica me një tekst që është si thirrje për ndërhyrje me forcë në Kosovë: “Është e dhimbshme që një shtet nuk mundet e as nuk guxon të mbrojë popullin e vet i cili sulmohet nga kushdo që i teket. Nesër sërish do të dëgjojmë për plaçkitje të tjera, sulme, grabitje, ndërsa Serbia qëndron e verbër dhe e shurdhër thuajse bëhet fjalë për një popull të huaj. Gjithë ata tatimpagues japin për ushtrinë e policinë, ndërsa prej tyre kurrfarë hairi…”

Institucionet e sigurisë në Kosovë ende nuk janë deklaruar rreth këtyre zhvillimeve në Graçanicë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme