Plagosja e Vali Corleones nga 22 vjeçarja, çfarë dihet deri tash për rastin

Prishtinë | 11 Gus 2022 | 13:09 | Nga Ekonomia Online

Personazhi kontrovers nga Gjilani që shpesh herë zë ballinat e mediave rozë, për shkak të deklaratave të tij të çuditshme, stilit të jetesës dhe problemeve që shkakton duke përfunduar në prangat e policisë, Princ Valentino Corleone, sot u dërgua në Emergjencë për trajtim mjekësor.

39-vjeçari dyshohet se u plagos me armë zjarri nga vajza 22-vjeçare, Anita Syla, me të cilën prej kohësh bashkëjeton. Kjo e fundit është arrestuar dhe me vendim të prokurorit ndodhet në mbajtje.

Motivet që çuan deri te plagosja e Corleones mbeten të panjohura momentalisht, mirëpo mjekët kanë konstatuar se i njëjti ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Rasti në polici është hapur si “vrasje në tentativë”.

Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e armës së bashku me 40 copë fishekë të të njëjtës armë, tashmë të konfiskuara.

Në muajin mars të këtij viti Corleone ishte arrestuar nën dyshimet për kanosje ndaj babait të tij. Por ai e kishte mohuar kanosjen, duke thënë se rasti i ishte montuar nga familja e tij.

Atëkohë kishte reaguar edhe Anita (e cila e quante vetën si vajza e “King Vali Corleone”), ku deklaronte se Corleone nuk i ka kanosur familjarët e tij. Sipas saj, kjo ishte një shpifje ndaj tij që ai të përfundonte në burg për t’ia marrë pasurinë.

Në të kaluarën Corleone kishte qëndruar në paraburgim edhe për shkak të veprave penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, apo posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Ndërsa, Anita Sylës, iu publikua një video se si më parë e kishte kanosur përmes një video modelen Morena Taraku.

Në këtë link e keni këtë video.

Të ngjashme