Plani evropian, Lajçak sot në Prishtinë

Prishtinë | 09 Mar 2023 | 08:10 | Nga Ekonomia Online

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të enjten dhe të premten qëndron për vizitë në Prishtinë.

Sipas njoftimit nga Brukseli, Lajçaku vjen me qëllimin që siç u tha të vazhdojë diskutimet si pjesë përcjellëse e takimit të nivelit të lartë që ngjau më 27 shkurt në kryeqytetin e BE-së dhe përgatitjeve për mbajtjen e tjetrit më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, raporton Klan Kosova.

Tema kyçe e bisedimeve me palë të ndryshme do jetë aneks-plani i zbatimit të krejt pikave të propozimit evropian për ujdi që u pajtua si dokument i pandryshuar.

“Nuk besoj që ka shumë hapësirë për të diskutuar, më shumë është që ndoshta detajet e fundit të merren vesh. Pra të bëhen përgatitjet e fundit për takimin ku me siguri do të nënshkruhet kjo në mënyrë pak më ceremoniale”, thotë Bekim Baliqi, profesor i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës.

Nga 11 nene që ka propozimi evropian, në skenën politike e shoqërore kosovare neni më i diskutuar është ai me numër shtatë.

Aty flitet për përkushtimin e të dyja palëve në arritjen e ujdisë specifike e garancive sipas përvojave evropiane për sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Si dhe formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

E në nenin dhjetë thuhet mes tjerash se palët konfirmojnë detyrimin e tyre për t’i zbatuar krejt ujditë e mëparshme në dialog.

“Që me siguri implikon dhe formimin e Asociacionit, pra janë çështje që Kosova duhet t’i sqaroj dhe që Kosova ka nevojë për t’i njohur detajet për afatet kohore dhe sekuencimin si dhe çdo aspekt tjetër që ka marrëveshja”, shtoi Baliqi.

Lajçaku të hënën dhe të martën e 13 dhe 14 marsit do qëndrojë në Beograd.

Të ngjashme